18 Maj 2024

Kushtetuesja vendos: Jahjaga ka mandat 5-vjeçar

Prishtinë, 5 korrik - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka mandat pesëvjeçar. Kështu ka marrë vendim Gjykata Kushtetuese, i cili pritet të bëhet publik javën e ardhshme, saktësisht të hënën. Lajmin e ka konfirmuar për “Epokën e re” një burim brenda Gjykatës Kushtetuese. “Jahjaga ka mandat të plotë pesëvjeçar.

Ajo mund ta ushtrojë postin e presidentes deri në vitin 2016. Vendimin lidhur për këtë çështje Gjykata Kushtetuese pritet ta publikojë në fillim të javës së ardhshme, saktësisht të hënën”, ka thënë ky burim. Po ky burim ka treguar se Gjykata Kushtetuese e ka marrë këtë vendim duke u bazuar edhe në vendimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili në pikën e parë shpjegon procesin e votimit të zgjedhjes së presidentes, ndërsa në pikën e dytë, e cila konsiderohet e rëndësishme, tregon se presidentja Jahjaga ka mandat pesëvjeçar ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, një burim brenda kabinetit të presidencës i ka thënë “Epokës së re” se Jahjaga do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese ashtu sikurse edhe marrëveshjen me të cilën është bërë edhe presidente.

Por, sipas këtij burimi, nuk është në natyrën e Jahjagës ta çojë vendin në krizë institucionale duke dhënë dorëheqje gjoja për ta respektuar marrëveshjen me të cilën është bërë presidente. “Presidentja respekton të dyja: edhe gjykatën edhe marrëveshjen. Ajo nuk po rrinë me zor e as për inat të askujt në atë pozitë. Dorëheqja nuk është e paraparë as me marrëveshje e as me Kushtetutë. Presidentja nuk është e interesuar ta çojë vendin në krizë institucionale. Dorëheqja e presidentes do të varet edhe nga vullneti politik i tre liderëve të cilët janë nënshkrues të marrëveshjes”, ka thënë ky burim nga presidenca.

“Epoka e re” ka mësuar se dy prej tre liderëve të cilët janë nënshkrues të marrëveshjes për zgjedhjen e Jahjagës në postin e presidentes, Thaçi e Pacolli, tashmë janë pajtuar të heqin dorë nga marrëveshja për ta respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kurse zyrtarët e LDK-së këmbëngulin se Jahjaga duhet ta respektojë marrëveshjen me të cilën ka fituar postin e presidentit të vendit.

Efektet e dorëheqjes së Jahjagës...

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Xhavit Shala, ka thënë për “Epokën e re” se presidentja e vendit ka obligime kushtetuese konform Kushtetutës, e cila ia përcakton kompetencat.

Shala ka thënë se çfarëdo vendimi që mund të vijë nga Gjykata Kushtetuese do ta ketë efektin juridik përfundimtar dhe, sipas tij, çdo institucion apo individ është i obliguar për ta respektuar dhe zbatuar atë. “Nëse vendimi që vjen nga Gjykata Kushtetuese precizon se presidentja duhet ta vazhdojë mandatin pesëvjeçar, atëherë mbetet në vullnetin e presidentes se a dëshiron ta vazhdojë mandatin.

E drejta e dorëheqjes është akt moral dhe nuk do të thotë se presidentja nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese nëse jep dorëheqje. Në çastin që është zgjedhur presidente ajo e ka ditur se Kushtetuta ia jep mandatin pesëvjeçar. Por, edhe nëse vendimi thotë se presidentja mund ta vazhdojë mandatin, që për mua është një ruajtje e traditës demokratike, Kuvendi i Kosovës ende nuk ka nxjerr një ligj, pra Ligjin për zgjedhjen e presidentit. Prandaj, Kosova ende nuk është e përgatitur dhe nuk ka infrastrukturë ligjore të shkojë në zgjedhje, ku qytetarët me votën e tyre do të zgjidhnin presidentin”, ka thënë Shala.

I pyetur nëse Jahjaga vendos të japë dorëheqje morale si do të rrjedhë procesi më tutje, Shala është përgjigjur:

“Nëse presidentja vendos të japë dorëheqje atëherë ushtruesi i detyrës së presidentit, që në këtë rast me Kushtetutë është kryetari i Kuvendit, dhe në bazë të amendamenteve të cilat janë propozuar nga komisioni kushtetues, pra nëse miratohen ato, atëherë i shpall zgjedhjet për president, të cilat duhet të mbahen brenda gjashtë muajve. Pastaj, kryetari i Kuvendit mund ta ushtrojë detyrën e presidentit për këtë kohë, kështu që shpallen zgjedhjet dhe qytetarët me votën e tyre zgjedhin presidentin e ri. Të jemi të qartë kjo mund të ndodhë nëse miratohen amendamentet e propozuara”.

Por, nëse këto amendamente me të cilat parashihet zgjedhja e presidentit me votë të popullit nuk miratohen nga Kuvendi dhe Kushtetuta mbetet e tillë dhe në këtë rast presidentja jep dorëheqje, atëherë Shala ka thënë se shkohet me procedurën tjetër të zgjedhjes sipas Kushtetutës aktuale në fuqi, pra Kuvendi i Kosovës fillon me procedurën për ta zgjedhur presidentin e ri. “Besoj se presidentja aktuale, Jahjaga, nuk ka arsye të japë dorëheqje në qoftë se nuk miratohen këto amendamente. Pas miratimit të këtyre amendamenteve atëherë mbetet në vullnetin e saj të vendos për dorëheqje.

Ajo nuk ka asnjë obligim, as kushtetues e as ligjor, por është vullnet i saj. Në deklarimet e saj ajo ka thënë se nuk do të jetë pengesë e realizimit të marrëveshjes. Varësisht prej vullnetit të saj pres që presidentja ta marrë vendimin më të mirë për vendin dhe për proceset që do të zhvillohen më tutje në Kosovë”, ka thënë Shala.

Atifete Jahjaga është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës më 7 prill të vitit 2011 me shumicën e votave të deputetëve, pas marrëveshjes politike ndërmjet Thaçit, Mustafës e Pacollit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)