29 Mars 2023

Kurti pranon propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë - Serbi

Prishtinë, 6 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi u takuan për një drekë pune me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

U diskutua për procesin e dialogut, propozimin evropian dhe për gjashtë pikat e prezantuara në Seancën e Kuvendit nga Kryeministri Kurti në lidhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.

Pas takimit, kryeministri Kurti tha se propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara.

Ndërkaq çështje të caktuara që kanë të bëjnë me garancitë ndërkombëtare, mekanizmave zbatues dhe sekuencimin kohor do të adresohen në kuadër të bisedimeve në Bruksel.

Kryeministri Kurti gjithashtu shtoi se konceptet demokratike dhe orientimi evropian na mbajnë me shpresë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 mars 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Kuvendi, salla N302, ora 10:00)

- Qendra e Kosovës për Eksport organizon ngjarjen “Rritja e eksportit përmes platformës KoEx”. (Hotel Sirius, ora  10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. (Kuvendi, salla N10, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. (Kuvendi, salla N303, ora 11:00)

- Promovohet romani “Duke ndjekur fluturat” i autores Hana Hoxha, i cili ka si fabulë edukimin e nxënësve/fëmijëve për rolin e policisë në sigurinë e tyre. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Bëhet inaugurimi i punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual ku merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. (Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë, ora 13:00)