04 Maj 2024

Kurti: Bashkimi ndal dhunën ndaj shqiptarëve

Prishtinë, 8 maj - Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se arrestimet e shqiptarëve nga serbët dhe maqedonasit nuk do të ndalen derisa kombi shqiptar të jetë i bashkuar.

Duke folur të hënën, me rastin e manifestimit të 7 majit të UÇK-së, Kurti theksoi se bashkimi i popujve shqiptarë në Ballkan është e vetmja zgjidhje që mund të sigurojë paqe në rajon.

“Ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të forcojmë veten tonë për hir të vetes tonë. 13 vjet pas luftës në Kosovë, 12 vjet pas luftës në Preshevë dhe 11 pas luftës në Maqedoninë perëndimore, shqiptarët po i arrestojnë e po i vrasin në këto vende. Serbia dhe Maqedonia nuk do t’i ndalin sulmet e tyre derisa të bëhet bashkimi kombëtar shqiptar”, deklaroi Kurti.

Lideri i Vetëvendosjes u shpreh i vetëdijshëm për skepticizmin që ekziston në radhët e shqiptarëve për bashkimin kombëtar, por ai u shpreh i bindur se edhe ata do ta pranojnë atë si zgjidhjen më të mirë.

“Edhe shqiptarëve që nuk e duan bashkimin kombëtar, thjesht nuk do t’u mbetet rrugë tjetër. Ata do të na sulmojnë deri atëherë, por më pas nuk do të na sulmojnë më”, nënvizoi Kurti.

Ai shtoi se shqiptarët në Ballkan duhet të gëzojnë lirinë e tyre dhe të veprojnë sipas vullnetit të tyre dhe jo atij që u imponohet nga të tjerët, cilëtdo qofshin ata.

“Ne duam të jemi të lirë dhe ne duhet të jemi të lirë. Ne s’duhet të lejojmë që të jemi objekt i vendimeve të të tjerëve. Na nevojitet ndihma e të tjerëve, por vendimi duhet të jetë yni”, shtoi Kurti.

Policia maqedonase arrestoi në fillim të muajit 20 shqiptarë, të cilët i konsideroi si radikalë islamikë, nën akuzën e vrasjes së pesëfishtë të ndodhur në muajin prill në fshatin Smilkovsk, pranë Shkupit.

Ndërsa policia serbe arrestoi para pak ditësh në Luginën e Preshevës tetë shqiptarë nën akuzën e krimeve të luftës, ndërkohë që ministri i Brendshëm serb nuk ngurroi t’i cilësonte ata “terroristë”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)