01 Maj 2024

Kuçi: MD ka prioritet luftën kundër krimit të organizuar

Prishtinë, 26 prill - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në konferencën “Projekti kundër krimit ekonomik në Kosovë”, e cila u  organizua nga Këshilli i Evropës.

Në këtë konferencë, Zëvendëskryeministri Kuçi para të pranishmëve u paraqitë me një fjalim ku tha: “Kam kënaqësinë që sot jemi bashkuar këtu për të filluar edhe një hap tjerët të fuqishëm kundër disa nga problemet që po rrezikojnë zhvillimin e mirëfilltë të vendit tonë.

Fillimisht, më lejoni që të shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar Këshillin e Evropës dhe Institucionet ndihmëse të Unionit Evropian në Kosovë të cilat kanë ndihmuar vazhdimisht Institucionet e Kosovës në luftën e tyre kundër kriminalitetit në përgjithësi, e veçanërisht për këtë luftë që po e fillojmë sot përmes këtij projekti kundër kriminalitetit ekonomik.

Është tejet evidente që Kosova nuk është në nivelin e kënaqshëm të luftës kundër kriminalitetit ekonomik në përgjithësi.

Por kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë që ai nuk është duke u luftuar me shumë forcë nga të gjitha degët e pushtetit tonë, në veçanti ai gjyqësor, me mbështetjen e organeve të tjera mbështetëse, qoftë Qeveritare apo të pavarura të shtetit tonë.

Duke e parë këtë si nevojë të domosdoshme të kohës, vendi jonë ka krijuar shumë mekanizma, përfshirë këtu legjislacion e organe të ndryshme të cilat janë dedikuar pikërisht luftës kundër kriminalitetit ekonomik, me theks të veçantë në luftimin e korrupsionit, shpëlarjen e parave dhe format e ndryshme të krimit të organizuar.

Si Ministër i Drejtësisë unë i kam dhënë prioritet të veçantë luftimit të këtyre dukurive. Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Ministritë tjera, është përkujdesur që gjatë kësaj kohe të krijojë kushtet më të mira për të ashpërsuar luftën kundër korrupsionit, shpëlarjes së parave dhe formave të tjera të krimit dhe këtë e ka nisur me ligjet që i kemi krijuar.

Dua të veçoj këtu që Kodi i ri Penal, i cili sapo është miratuar nga Kuvendi, si qëllim parësor ka pasur ashpërsimin e luftës kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Kjo është bërë me futjen e shumë dispozitave të reja, me definimin me të mirë të atyre ekzistuese dhe sidomos me rritjen e dukshme të dënimeve për veprat e tilla penale.

Ndërkohë që presim që ligjet me shumë peshë në këtë fushë, si Kodi Penal e Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve të hyjnë në fuqi, ne po punojmë në forcimin e mëtejshëm të kësaj infrastrukture me Kodin e Procedurës Penale, Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së fituar me vepër penale, e Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.

Dua të ndalem edhe tek Kodi i ri i Procedurës Penale i cili shumë shpejtë do të dërgohet në Qeveri për miratim. Përmes këtij Kodi ne jemi përpjekur që t’i fuqizojmë prokurorët dhe gjyqtarët tanë me procedura dhe mjete të ndryshme ligjore në mënyrë që kriminaliteti të luftohet me më shume efikasitet dhe efektivitet por njëkohësisht të kujdesemi për garantimin e të drejtave të njeriut gjatë procedurës.

Më konkretisht, me Kodin e Ri të Procedurës Penale jemi përpjekur që të përmirësomë mundësinë e hetimit të krimeve të ndërlikuara, si ato të krimit të organizuar, kemi përmirësuar mundësinë e marrjes së dëshmive financiare dhe prezantimit të tyre para gjykatës, kemi mundësuar një proces për të identifikuar, bllokuar dhe konfiskuar dobitë pasurore nga vepra penale, dhe kemi përmirësuar gjithashtu kontrollin dhe bilancin e palëve të involvuara në procedurë.

 Të gjitha këto janë vetëm disa nga mënyrat në të cilat është investuar shumë punë nga Ministria e Drejtësisë për të ngritur akoma më shumë kualitetin e luftës kundër kriminalitetit, sidomos atij ekonomik.

Një tjetër ndryshim me shumë rëndësi i cili, besoj fuqishëm, do të jetë një armë e fortë e prokurorëve dhe gjyqtarëve si edhe institucioneve të tjera ndihmëse të cilat luftojnë këtë lloj kriminaliteti, është krijimi i dhomave të veçanta brenda gjykatave themelore dhe asaj të Apelit në Prishtinë e cila do të jetë kompetente vetëm për veprat penale nën kompetencën e Prokurorisë Speciale.

Prandaj, veprat penale të kriminalitetit ekonomik, përshirë këtu korrupsionin, krimin e organizuar, financimin e terrorizmit dhe format e tjera të tij dhe shpëlarja e parave do të gjykohen nga dhoma të specializuara pikërisht për to.

Në këtë mënyrë do të mundësohet edhe ngritja e kualitetit të gjykimit të këtyre rasteve dhe gjithashtu do t’ju jepet prioritet në kohë. Kështu, të gjithë kryesit e këtyre krimeve do të sillen para drejtësisë shumë më shpejtë dhe në mënyrë shumë më efikase e profesionale.

Pa dashur të ndalem shumë edhe në shumë veprime të tjera që Qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë, në veçanti Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dua të theksoj edhe një herë nevojën e domosdoshme që kjo luftë të profesionalizohet shumë më shumë dhe të ashpërsohet.

Më vjen shumë mirë që Agjencioni Kundër Korrupsionit e Qendra e Inteligjencës Financiare shihen si partnerë serioz tuajt në këtë rrugë dhe shpresoj që kështu ato do të fuqizohen dhe profesionalizohen akoma më tepër.

Prandaj, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, unë mirëpres fuqishëm projektin tuaj, i cili besoj se do të kontribuojë fuqishëm në evitimin e këtij lloji të kriminalitetit.

Më lejoni gjithashtu të kujtoj se Qeveria e Kosovës do të jetë më se e hapur për t’u angazhuar me kapacitetet e saj maksimale për të ndihmuar jo vetëm projektin tuaj por gjithë këtë luftë. Andaj, jemi të hapur për sugjerimet tuaja për çfarëdo hapi që duhet të ndërmerret në këtë drejtim”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)