Kuçi: Lugina e Preshevës do të përfshihet në dialog

Prishtinë, 8 tetor - Çështja e tri komunave me shumicë shqiptare nën administrimin e Serbisë Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të zërë vend në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.
Kuçi ka thënë se avancimi i të drejtave kombëtare të shqiptarëve që jetojnë në Serbi do ti kontribuonte jo vetëm normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë si dy shtete fqinje, por edhe paqes dhe stabilitetin në rajon.
Sipas tij, nuk mund të bëhet fjalë për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi, siç ka thënë ai, në kurriz të shqiptarëve të Luginës.
Prishtina zyrtare është e interesuar për përmirësimin dhe normalizimin e gjendjes së shqiptarëve etnikë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, si kusht për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Në dialogun e ardhshëm, pa dyshim se edhe çështja e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës do të zërë vendin e merituar, ka thënë Kuçi, shkruan Koha Ditore.
Që Lugina e Preshevës të përfshihet në dialog me Serbinë ka preferuar edhe eksperti i çështjeve të Ballkanit Jugor, James Pettifer.
Në një diskutim me temë: Kosova drejt historisë bashkëkohore në Universitetin Georgetoën, ai ka thënë se përfshirja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë-Serbi do të ishte një hap pozitiv. Kjo, sepse së pari problemet e tyre janë të ngjashme me ato të serbëve të veriut, por edhe sepse Presheva është neglizhuar për shumë vite, që në kohën e Titos dhe u trajtua shumë keq nën regjimin e Milosevicit dhe vuajti gjatë luftës, ka thënë Pettifer, duke potencuar se neglizhenca e ndërkombëtarëve ndaj Luginës së Preshevës mund të ketë pasoja.
Insistim që çështja e jugut të Serbisë të ngrihet si temë midis Prishtinës dhe Beogradit po bën kaherë edhe partia parlamentare, Lëvizja për Bashkim.
Kryetari i LB-së, Avni Klinaku, ka thënë se çfarëdo zgjidhje që do të bëhej për veriun e Kosovës do të duhej që të bëhej edhe për jugun e Serbisë.