29 Prill 2024

Kryetari Konjufca takoi Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë

Prishtinë, 10 maj - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Timothy Chorba, kryetar i Këshillit.

Duke falënderuar diplomatët për kontributin e vazhdueshëm të tyre dhe të shtetit amerikan në zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë Kosovës, kryetari Konjufca theksoi se takime të kësaj natyre janë mundësi e mirë për të qëndruar më afër njëri-tjetrit dhe për të trajtuar tema që janë me interes vital për rajonin.

Referuar ndihmës që Kosova ka përfituar ndër vite nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet demokratike evropiane, kryetari Konjufca u shpreh se Kosova është projekti më i rëndësishëm i faktorit ndërkombëtar i fundshekullit 20-të, i cili rezultoi me ndaljen e gjenocidit dhe trasoi rrugën drejt pavarësisë së Kosovës.

Intervenimi ndërkombëtar dhe pavarësia e Kosovës, shtoi kryetari Konjufca, nuk ishin vetëm domosdoshmëri e nivelit nacional, por kusht esencial për paqe dhe siguri në rajon dhe Evropë.

Duke folur lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kreu i Kuvendit theksoi se Qeveria e Kosovës është jashtëzakonisht e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët e cila është në të mirë të të dyja shteteve dhe nga e cila vendet do të kenë prosperitet në të gjitha fushat. Por kryetari Konjufca tërhoqi vëmendjen se assesi nuk do të pranohen modele që kanë për qëllim zhbërjen e shtetit dhe zbehjen e kompetencave ekzekutive brenda territorit të Kosovës.  

“Qeveria e Republikës së Kosovës është jashtëzakonisht e përkushtuar ndaj dialogut dhe gjetjes së zgjidhjes më të mirë për qytetarët e të dyja shteteve, por assesi, në asnjë rrethanë nuk do të pranohen modele që rrezikojnë shtetin dhe lirinë e qytetarëve të Kosovës”, tha ndër të tjera kryetari Konjufca.

Në anën tjetër, anëtarët e Këshillit të Ambasadorëve ritheksuan vazhdimësinë e mbështetjes së popullit dhe shtetit amerikan për Kosovën dhe aspiratat euro-atlantike të saj. ​  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)