19 Prill 2024

Kryesuesi i OSBE-së Osmani bëri thirrje për dialog si rruga e duhur përpara

Prishtinë, 26 maj - Kryesuesi i radhës i OSBE-së, Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, përfundoi vizitën e tij njëditore gjatës së cilës u takua me Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministrin Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz, si dhe vizitoi Misionin e OSBE-së në Kosovë.

Në qendër të bisedimeve të tij ishin zhvillimet e fundit dhe situata e sigurisë në veri të Kosovës. Kryesuesi Osmani u bëri thirrje të dy palëve që të ulin tensionet dhe të shmangin armiqësitë e mëtejme. Gjatë vizitës, ai foli edhe për mbështetjen e Misionit të OSBE-së për reformat e vazhdueshme në promovimin e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve, forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e sigurisë publike. Angazhimi me të rinjtë dhe roli i të rinjve në promovimin e dialogut dhe ndërtimit të besimit ishte gjithashtu fokus i rëndësishëm i vizitës.

“Është thelbësore që të zvogëlohen tensionet në terren në veri të Kosovës, për t’i dhënë hapësirë procesit politik të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. OSBE-ja është e gatshme të vazhdojë të mbështesë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të Dialogut”, tha Kryesuesi Osmani.

Gjatë vizitës së tij në Misionin e OSBE-së, Shefi i Misionit Michael Davenport dhe zyrtarë të tjerë informuan z. Osmani për aktivitetet programore të Misionit.

“Mbështetja e aktiviteteve të misioneve në terren është prioritet kyç i kryesimin tonë të OSBE-së. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka kredibilitet dhe besim te njerëzit dhe institucionet, gjë që është vendimtare për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Dua të shpreh vlerësimin tim për punën e përkushtuar të Misionit në forcimin e sundimit të ligjit, mbështetjen e institucioneve demokratike dhe angazhimin për një mjedis më të sigurt për të gjitha komunitetet.”

Kryesuesi arriti ta shohë ndikimin e punës së Misionit gjatë vizitës së tij në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ku së bashku me kryeministrin Kurti u takua me kadetë policorë nga të gjitha komunitetet.

“Jam impresionuar me punën që pashë sot në Akademi, në aftësimin e gjeneratës së ardhshme të kadetëve të policisë, gra e burra, në shërbim të komunitetit të tyre lokal. Të gjithë përfitojnë nga një forcë e larmishme policore.”  

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve të Akademisë së të Rinjve të OSBE-së, që është një nga projektet kryesore të Misionit, Osmani e vlerësoi lart këtë model të suksesshëm të angazhimit të të rinjve në vendimmarrje dhe promovimin e shoqërisë gjithëpërfshirëse, i cili model, sipas tij, mund të përsëritet edhe gjetiu.

“Nëse njëmend e duam pajtimin në këtë rajon, të rinjtë tanë duhet të jenë ura drejt një të ardhmeje më të ndritur. Mesazhi im është se brezi i ri ka rol kritik në ndërtimin e paqes. Si Kryesues i OSBE-së do të jem gjithmonë i gatshëm t’i amplifikoj zërat e të rinjve në formësimin e së ardhmes së tyre.”

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)