07 Maj 2024

Kryeparlamentari Krasniqi u kthye nga vizita në Hungari

Prishtinë, 13 tetor - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga nënkryetari Xhavit Haliti, është kthyer sot në atdhe nga Hungaria, ku mori pjesë në Konferencën e Parlamenteve të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Budapest.
 
Në këtë konferencë u bisedua për bashkëpunimin fqinjësor e rajonal, si dhe për kriteret për integrime në BE, ndërsa morën pjesë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Me këtë rast kryeparlamentari Krasniqi mbajti dy fjalime: Perspektiva e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe Dimensionet e sigurisë dhe të bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.

Në fjalimet e tij, Krasniqi tha se bashkëpunimi për më shumë siguri, është jo vetëm i rëndësishëm, ai nuk shfaq vetëm vlera miqësie midis shteteve tona, nuk është vetëm shenjë që tregon ekzistencën e raporteve të mira midis palëve, por është domosdoshmëri.

Ai tha se dimensionet e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor, gjatë këtyre viteve, kanë pasur ngritje të kënaqshme bashkëpunimi ekonomik, politik, në siguri etj., dhe se ky bashkëpunim duhet të thellohet e të strukturohet në të gjitha fusha e jetës.

Duke folur për integrimin dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, kryeparlamentari Krasniqi theksoi se pa ndihmën e çmuar të Evropës dhe të vendeve të tjera mike, kjo rrugë do të ishte shumë më e vështirë.

“Ne, duhet të mësojmë nga vlerat themeluese dhe ekzistuese të BE-së, që këto vlera t’i vendosim edhe në vendet tona, edhe në rajonin tonë, se vetëm kështu do të meritojmë perspektivën evropiane e më pas integrimin evropian. E them me përgjegjësi, vendi dhe populli im nuk kanë alternativë tjetër, veç asaj të integrimit në NATO dhe në BE”, u shpreh kryeparlamentari Krasniqi

Ai shtoi se edhe pse në rrethana të veçanta, Kosova ka shënuar sukses të konsiderueshëm.

Sipas Krasniqit, progres i padiskutueshëm është arritur edhe në fushat jetike, si arsimi dhe shëndetësia, investimet publike, rendi dhe siguria.

“Ato janë shtrirë në të gjithë vendin dhe ne jemi në rrugën e plotësimit të kritereve dhe të standardeve evropiane”, tha kreu i legjislativit të vendit.


Gjatë kësaj konference, kryetari Krasniqi pati një takim me kryetarin e Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, Laszlo Kover, i cili shfaqi gatishmërinë e tij dhe të shtetit hungarez për ta ndihmuar Kosovën edhe në të ardhmen.

Kryetari Krasniqi zhvilloi takime të shkurtra edhe me kryetaren e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, të Malit të Zi, Ranko Krivokapiq, të Maqedonisë, Тrајkо Velanovski dhe atë të Kroacisë, Lluka Bebiq. 


Presidenti i Hungarisë, Pal Shmit, ndërkaq, organizoi pritje për të gjitha delegacionet pjesëmarrëse.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)