02 Maj 2024

Kryeministri Thaçi të enjten në interpelancë për veriun

Prishtinë, 25 tetor - Kuvendi i Kosovës do të mblidhet këtë të enjte në seancë të veçantë për interpelancën e kryeministrit Hashim Thaçi lidhur me gjendjen në veri të Kosovës.

Kjo është vendosur në mbledhjen e së martës të Kryesisë së Kuvendit, në të cilën po ashtu është caktuar data 8 nëntor për seancë të veçantë për debat lidhur me Raportin e Progresit.

Kërkesa për interpelancë për veriun ka ardhur nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa ajo për Raportin e Progresit është kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, megjithatë për këtë të fundit Kryesia nuk ka mundur që ta caktojë për këtë javë, pavarësisht insistimit të LDK-së, për shkak të mungesës së disa ministrave.

Kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, beson se në seancën e 8 nëntorit, do të jenë të gjithë ministrat prezentë, ndërsa nga debati që do të zhvillohet të enjten lidhur me veriun, pret që të del ndonjë qëndrim i legjislativit të vendit.

“Ne sot vendosëm me konsensus që më 27 tetor ta kemi seancën për interpelancën të kërkuar nga Grtupi Parlamentar i Vetëvendosjes, kurse seancën e debatit e lamë që të mbahet më 8 nëntor 2011. Shpresojmë që ministrat për shkak të të cilëve është shtyrë seanca e debatit, do të jenë prezentë në seancën e 8 nëntorit”, ka thënë Krasniqi.

LDK-ja e konsideron papërgjegjësi të Qeverisë mungesën e ministrave, gjë që ka bërë shtyrjen e debatit për Raportin e Progresit.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Ismet Beqiri ka thënë se kërkesa e tij ka qenë që seanca të mbahet këtë të enjte, mirëpo ka qenë e pamundur, për shkak të mungesës së disa ministrave, për të cilët, Beqiri thotë se edhe ashtu nuk marrin pjesë pothuajse asnjëherë në seancat e Kuvendit.

“Ne herën e kaluar realisht në marrëveshje edhe me grupet tjera kemi kërkuar të mbahet seanc a e veçantë për Raportin e Progresit dhe ndodhi ajo që po ndodhë shpesh. Fatkeqësisht Qeveria është e papërgjegjshme, i ka ministrat e papërgjegjshëm, jo të gjithë sigurisht, ju e dini që në shumicën e seancave në shumicën e kohës nuk marrin pjesë me përjashtim të disa ministrave."

"Kjo tregon nivelin e tyre të papërgjegjësisë, por këtu përgjegjësi kryesor, ose kryepapërgjegjësi është vetë kryeministri, sepse nuk duhet të mbahen seancat pa qenë ministrat, sepse në seanca bisedohet për çështje që kanë të bëjnë me ekzekutivin dhe jetën e qytetarëve tanë”, ka thënë Beqiri.

Nga ana tjetër, kërkesa e Vetëvendosjes për interpelancë të kryeministrit ka arritur të hyjë në rend dite për këtë seancë, por Beqiri i LDK-së këtë nuk dëshiron ta sheh si një konkurrencë mes subjekteve opozitare.

Glauk Konjufca nga Vetëvendosja ka thënë se gjatë kësaj interpelance do të kritikohet Qeveria për qasje joserioze ndaj veriut, përderisa do të ketë edhe një mocion që do të hidhet në votim.

Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës në vend që të sillet si një qeveri e një shteti të pavarur dhe sovran, ajo më shumë po sillet si zëdhënëse e KFOR-it.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)