28 Mars 2023

Kryeministri Kurti takoi Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq

Davos, 18 janar - Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Kryeministri Kurti tha se me Kroacinë, Republika e Kosovës ka të përbashkët të kaluarën, por edhe të ardhmen brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s.  

Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen historike të Republikës së Kroacisë ndaj Republikës së Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit, ndërsa falënderoi Kryeministrin Plenkoviq veçanërisht për përkrahjen për anëtarësim në Bashkimin Evropian.   

U theksuan marrëdhëniet e mira bilaterale në mes të dy vendeve dhe gatishmëria për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët.

Duke biseduar për indikatorët pozitivë ekonomikë, Kryeministri Kurti theksoi potencialin për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 mars 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Kuvendi, salla N302, ora 10:00)

- Qendra e Kosovës për Eksport organizon ngjarjen “Rritja e eksportit përmes platformës KoEx”. (Hotel Sirius, ora  10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. (Kuvendi, salla N10, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. (Kuvendi, salla N303, ora 11:00)

- Promovohet romani “Duke ndjekur fluturat” i autores Hana Hoxha, i cili ka si fabulë edukimin e nxënësve/fëmijëve për rolin e policisë në sigurinë e tyre. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Bëhet inaugurimi i punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual ku merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. (Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë, ora 13:00)