04 Maj 2024

Kroacia i ofron ndihmë të parezervë Kosovës

Prishtinë, 23 nëntor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim një delegacion të Parlamentit të Republikës Kroacisë, të prirë nga kryetari, zotëri Luka Bebiq.

Kryetari i Parlamentit të Kroacisë i vlerësoi marrëdhëniet e të dyja vendeve si të mira dhe theksoi nevojën e shtrirjes së bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, të sigurisë dhe në të gjitha fushat e tjera.

Bebiq tha se Kuvendi i Kroacisë i kushton një rëndësi të veçantë bashkëpunimit ndër-parlamentar.

Kryetari i Parlamentit kroat tha se Kroacia është e interesuar që me Kosovën të ndërtojë marrëdhënie të partneritetit miqësor dhe se është e gatshme që ta ndihmojë Kosovën në fushën e ekonomisë përmes rritjes së investimeve.

Zotëri Bebiq theksoi se me bashkëpunim dhe mirëkuptim mund të arrihet stabiliteti dhe të hapet rruga evropiane për të gjitha vendet e rajonit.

Ai tha se Kroacia i ofron ndihmë të parezervë Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe theksoi domosdoshmërinë e zgjerimit të BE-së në të gjitha vendet e Evropës Juglindore.

Kryetari i Parlamentit të Kroacisë tha se vendi i tij mbështet pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, tha se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të mira dhe thellimi i këtij bashkëpunimi do të ishte në të mirë të popujve të të dyja vendeve dhe në të mirë të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka hyrë në procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe se komuniteti kroat në Kosovë do të përfshihet në Kushtetutë dhe të gëzojë të gjitha të drejtat si edhe komunitetet e tjera. Ajo tha se komuniteti kroat në Kosovë dhe ai shqiptar në Kroaci dëshmojnë lidhjen e fuqishme mes dy vendeve.   

Presidentja e Republikës tha se të dyja shtetet janë shembull i mirë i bashkëpunimit në rajon dhe theksoi se rajoni i Ballkanit dhe i Evropës Juglindore është i qetë vetëm nëse të gjithë janë të lirë dhe të barabartë dhe vetëm nëse e ndihmojnë njëri tjetrin në rrugën e integrimeve.

Presidentja Jahjaga tha se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është zgjidhje e mirë për problemet e të drejtave të komuniteteve dhe të grupeve etnike, ndërsa perspektiva e zhvillimit dhe integrimit e përcakton bashkëpunimin me njëri-tjetrin dhe mundëson që të gjenden zgjidhjet e pranueshme për të gjithë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)