01 Maj 2024

Kroacia i ofron Kosovës përvojën e saj drejt integrimeve evropiane

Zagreb, 16 shkurt - Gjatë  vizitës në Republikën e Kroacisë, në kuadër të shënimit të ditës së Pavarësisë së Kosovës, Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Ibrahim Gashi, u prit sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Integrimeve Evropiane të Kroacisë nga Zëvendësministri kroat i Punëve të Jashtme, Joshko Klisoviq me bashkëpunëtorë.

Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zagreb, Valdet Sadiku.

Zëvendësministri Gashi e uroi homologun e tij kroat për përfundimin e negociatave për anëtarësim të Kroacisë në BE si dhe e falënderoi shtetin dhe popullin kroat për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë popullit dhe shtetit të Kosovës, në rrugën e tyre drejt pavarësisë si dhe në realizimin e shtetësisë dhe afirmimin e saj në botë.

Të dy zëvendësministrat gjatë bisedës u pajtuan se marrëdhëniet midis dy shteteve janë shumë të mira dhe miqësore dhe ato duhet të avancohen edhe me tej në të gjitha fushat me interes të dyanshëm.

Po ashtu, Zëvendësministri Gashi e njoftoi homologun e tij për sukseset e arritura të Republikës së Kosovës gjatë këtyre katër vjetëve të shtetësisë, si dhe për sfidat dhe synimet që ka përpara shteti i Kosovës në rrugën e forcimit dhe të bashkëpunimit rajonal si dhe të zbatimit të Planit të Ahtisarit edhe në komunat e pjesës veriore të Kosovës.

Zëvendësministri Gashi gjatë takimit kërkoi që gjatë bashkëpunimit në të ardhmen shteti kroat t’i ofroj eksperiencën e vet Republikës së Kosovës në procesin e integrimeve në BE, sepse kjo do të ishte një ndihmë shumë e çmuar për kosovarët në synimin e tyre po ashtu drejt BE-së.

Kjo kërkesë e Zëvendësministrit Gashi u prit me kënaqësi dhe në këtë kontekst pala kroate u shpreh plotësisht e gatshme të ofroj ndihmën e saj, eksperiencën dhe njohuritë e veta të arritura gjatë këtij procesi.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)