04 Maj 2024

Kroacia e mbështet integritetin dhe sovranitetin e Kosovës

Prishtinë, 23 nëntor - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr.Jakup Krasniqi, priti sot delegacionin parlamentar të Kroacisë, të kryesuar nga kryeparlamentari Luka Bebiq.

Në takim u tha se janë të gjera mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet parlamenteve dhe institucioneve të tjera të Kosovës dhe Kroacisë.

Në këtë frymë ekziston vullnet i dy anshëm për të forcuar edhe me tutje marrëdhëniet në mes dy parlamenteve dhe shteteve.

Kryekuvendari Krasniqi, duke shprehur kënaqësinë për këtë takim, tha se vizita është edhe një dëshmi se marrëdhëniet në mes dy parlamenteve po përparojnë çdo ditë e më shumë, ndërsa në të ardhmen ato do të thellohen edhe më.

Bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Kroacisë vërehet në shumë fusha, duke synuar që  të avancohet sidomos fushën e ekonomisë, biznesit, arsimit etj.

Miqësia e Kosovës me Kroacinë ka një histori të gjatë, ndërsa në  forcimin e kësaj miqësie kontribut të rëndësishëm japin edhe pakica kroate që jeton në Kosovë dhe pakica shqiptare që jeton në Kroaci.

Kryekuvendari Krasniqi shprehu falënderime posaçërisht për ndihmën që po jep Kroacia në rrugën e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Luka Bebiq, theksoj se Kroacia dëshiron dhe angazhohet për zhvillim të gjithanshëm të Kosovës.

Ky bashkëpunim, tha ai, duhet të jetë reciprok, pra  në këtë kontekst “askush të mos jetë as vëlla i madh, e as vëlla i vogël”.

Kroacia e mbështet integritetin dhe tërësinë territoriale të  Kosovës e po ashtu, Kroacia mbështet edhe dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, sepse vetëm me biseda dhe në mënyrë paqësore zgjidhen problemet.

“Vetëm me bashkëpunim , më së miri do të luftojmë kriminalitetin, sepse dëshirojmë që asnjë kriminel të mos gjejë strehë në shtetet e Rajonit. Pakicat kombëtare përbëjnë përparësi, do të thotë nuk janë problem,ato janë ura lidhëse për zgjidhjen e problemeve”, theksoi Luka Bebiq.

Në vijim kryeparlamentari Bebiq tha se Parlamenti i Kroacisë i ofron Kuvendit të Kosovës 300 ligje, të cilat janë të harmonizuara me standardet e Bashkimit Evropian. Përvojat në harmonizimin e ligjeve me e ato të BE-së është mirë të shfrytëzohen, në rrugën drejt integrimit evropian të  Kosovës.

Ndërkaq, duke folur për thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë ekonomik, Bebiq u ndal në nevojën e nxitjes së ndërtimit në lëmin e infrastrukturës .

“Ne kemi ardhur me rrugë shumë moderne deri në Luginën e Neretfës, por autostrada duhet të kalojë edhe nëpër viset tjera drejt detit Jon”, tha ai.

Në një pyetje gjatë konferencës për shtyp, që kishte të bënte me atë se a do të kundërshtojë Kroacia pranimin e Serbisë në BE, nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, Bebiq tha se Kroacia  përfill politikën dhe  rregullat e BE-së që kanë të bëjnë edhe me anëtarësimin.

Sa i përket çështjes së pranimit të Serbisë në BE, ai tha se secili shtet që synon të anëtarësohet në BE duhet të përmbushë kriteret e anëtarësimit, askush nuk mund të bëhet anëtar  me një procedurë të privilegjuar.

Ai shfaqi shpresën se  edhe pesë shtetet e tjera të BE-së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, do ta bëjnë këtë. Kështu vështrohet edhe rrugëtimi i  anëtarësimit të Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi e Maqedonisë në BE.

Nëse këto shtete nuk bëhen  anëtare të BE-së, atëherë Kroacia nuk mund të jetë e kënaqur, sepse ajo dëshiron të bashkëpunojë edhe me shtetet përreth, u  shpreh Bebiq.

Para së të fillojë takimi i dy delegacioneve homologët Krasniqi e Bebiq patën një takim kokë më kokë, kurse pastaj z. Luka Bebiq, u nënshkrua në librin e vizitorëve, në të cilin ndër të tjera ka theksuar:” I uroj popullit mik të Kosovës prosperitet dhe mbështes perspektivën kosovare drejt integrimeve evroatlantike”.

Në takimin e dy delegacioneve, z.Lluka Bebiq e shoqëronin Zoran Vodopija, ambasador i Republikës së Kroacisë në Kosovë , Ivan Bagariq, kryetar i Komisonit për Kroatët jashtë Kroacisë, deputetët:Dragutin Bodakosh e  Shemso Tankoviq dhe bashkëpunëtorët.

Ndërsa kryekuvendarin Krasniqi e shoqëronin:nënkryetarët e Kuvendit: Sabri Hamiti e  Glauk Konjufca, ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, Valdet Sadiku dhe bashkëpunëtorët kryekuvendarit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)