17 Maj 2024

Krasniqi ripërsërit pohimin për deputetë me vota të vjedhura

Tiranë, 16 tetor - Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi  nuk e ka fshehur shqetësimin për disa nga zhvillimet politike në Kosovë. Në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës në Top Channel, ai tha se ka përpjekje për të ‘mbytur’ demokracinë, kurse korrupsioni po lëshon rrënjë.

Biseda e tij në këtë emision nisi me analizën e marrëdhënieve mes Tiranës dhe Prishtinës në këtë 100-vjetor të shtetit shqiptar, një 100-vjetor që gjen një komb dhe dy shtete.

Zoti Krasniqi thotë se ka pasur përmirësim në marrëdhëniet dypalëshe, me lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, por siç thotë ai, nuk duhet të jemi të kënaqur me nivelin e këtyre marrëdhënieve pasi ka mundësi për të kryer shumë herë më shumë.

“Në këtë 100 vjetor të shtetit shqiptar marrëdhëniet me Kosovën kanë përparuar mjaft, dhe ndërtimi i kombit ka lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave. Në moshën time të re, kemi pasur ëndërr për të parë Shqipërinë. Tashmë është një epokë  e re që po krijon marrëdhënie në të gjitha fushat. Ana negative është se mundësitë nuk janë shfrytëzuar, mundësitë për të intensifikuar marrëdhëniet mes dy vendeve, nuk mund të jemi të kënaqur me substancën e marrëdhënieve mes një kombi dhe dy shteteve. Ka shumë punë për të bërë”, nisi fjalën e tij zoti Krasniqi.

Në 100 vjet shtet shqiptar janë shtuar zërat për nevojën e rishikimit të historisë. Por ç’mendim ka Jakup Krasniqi për këtë fakt. Sipas tij, historia ka nevojë për rishikim, por kjo duhet të bëhet nga historianët dhe specialistët. Zoti Krasniqi tha se politika duhet të qëndrojë larg kësaj çështje, ndërsa në këndvështrimin e tij, mbreti Zog po mbivlerësohet. Sa për diktatorin Enver Hoxha, duke hequr mënjanë politikat brenda Shqipërisë, Krasniqi foli për nacionalizmin e tij.

Ai tha se konjukturat e fuqive të mëdha pas Luftës së Dytë Botërore nuk mundësonin bashkimin e shqiptarëve në një shtet, pavarësisht luftës në Kosovë.

Ndërsa duke folur për ish të burgosurit dhe të përndjekurit, Krasniqi hoqi një paralele mes atyre që kanë vuajtur në burgjet serbe dhe shqiptarëve që kanë vuajtur në burgjet e regjimit. Ai tha se kjo shtresë meriton respektin e gjithë shoqërisë dhe se dëmshpërblimi ndaj tyre duhet të jetë një detyrim i politikës.

Duke mbyllur këndvështrimin e tij për historinë, kreu i Kuvendit të Kosovës foli për rilindasit kombëtarë ku vlerësoi politika e “feja e shqiptarit është shqiptaria” është arritja më e madhe për të bashkuar kombin pa dallim fetar nën një identitet.

Së fundmi, kreu i Kosovës ka kritikuar politikën për një sërë procesesh privatizuese në Kosovë. Që nga “Grand” e deri tek privatizimi i pronave publike që nxirren në shitje nga qeveria.

“Jemi në një krizë dhe objektet që po shiten nuk po regjistrojnë humbje në këtë periudhë, ndaj nuk e kuptoj pse duhet të nxitohemi t’i shesim”, deklaroi zoti Krasniqi duke aluduar më pas për afera korruptive në këtë sektor.

Në fakt, ish-kreu i Agjencisë së Privatizimeve në Kosovë, u gjet i vrarë nga 11 goditje me thikë në trup në zyrën e tij. Pas hetimeve, prokurorët arritën në përfundimin se ajo ishte një vetëvrasje. Krasniqi solli si shembull tipik të abuzimit shitjen e telefonisë mobile. Sipas tij, procedura e ndjekur në këto raste është tërësisht e gabuar duke mos dalë me një ofertë dysheme, por me propozimin “të japin sa të japin”.

Është e nevojshme që të ndryshojmë paketën ligjore në këtë sektor, të presim pak kohë dhe më pas të privatizojmë sërish në mënyrë që privatizimet të kryhen në emër dhe për interes të publikut.

Por qëndrimi kritik i kreut të Kuvendit të Kosovës për proceset e privatizimeve, ka hasur në kundërshtimin e PDK-së, partisë së tij që udhëhiqet nga kryeministri Thaçi. PDK e ka akuzuar zotin Krasniqi se synon vendosjen e sistemit të Hugo Chavez në Kosovë. Por për kryeparlamentarin, tha se sulmet janë për të devijuar opinionin publik.

“Në Kosovë ka përpjekje për të ngulfatur demokracia. Ka një përpjekje të ngulfatet fjala e lirë. Kjo është tendenca për të ngulfatur mendimin e lirë, debatin. Këto janë sulme për të etiketuar njerëzit. Thuhet në një fjalë të urtë, “ujku do mjegull”. Njerëzit kanë interesa të veta të veçanta dhe ato interesa duan t’i ngulin në gjithë shoqërinë”, tha zoti Krasniqi duke shprehur vendosmërinë për të qëndruar në PDK dhe për të kontribuar në atë që ai e quan demokratizim të jetës politike në Kosovë.

Qçndrimi i Krasniqit mbi procesin e privatizimit nuk është i vetmi qëndrim kritik në demokracinë e brishtë të Kosovës. Pas zgjedhjeve të fundit, ai ishte një ndër zërat më të fuqishëm që denoncoi shkeljet e rënda në procesin zgjedhore dhe manipulimet e kryera. Shkeljet u raportuan edhe në raportet ndërkombëtare. Vetë Krasniqi tha se vërejtja më e madhe mbërriti nga Brukseli dhe Uashingtoni dhe për këtë drejtësia ka dënuar rreth 250 vetë dhe 700 komisionerë të tjerë ndodhen aktualisht në procese gjyqësore për manipulime në zgjedhje.

Përgjegjësia e manipulimit në zgjedhje, tha zoti Krasniqi, bie mbi të gjitha partitë politike, përfshirë këtu edhe PDK-në ku ai vetë është anëtar. Për të korrigjuar këtë të metë, Krasniqi tha se u nënshkrua marrëveshja mes partive politike për ndryshimet kushtetuese që pasuan ndryshimet në zgjedhjen e presidentit të republikës. Megjithëse kjo marrëveshje është e bllokuar aktualisht nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, zoti Krasniqi shprehu bindjen se në të ardhmen ajo do të jetësohet.

Në pjesën e fundit të Shqip, Krasniqi foli për dialogun me Serbinë. Ai tha se kishte një qëndrim më radikal nga partia e tij për këtë çështje dhe nënvizoi se bisedimet me Serbinë kanë karakterin politik brenda.

“Qëndrimi im nuk është si i Vetëvendosjes, por është një qëndrim ekstrem që nuk i përgjigjet realitetit. Çdo formë e bisedimeve me Serbinë e ka karakterin politik. Unë jam kundër bisedimeve politike, që mund të mbahen për statusin sepse ato janë mbyllur më 17 shkurt 2008. Jam kundër bisedimeve për territorin, jo bisedime për autonomi speciale në veri për faktin që jemi të bindur se me dokumentin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari kemi vendosur standardin më të lartë të të drejtave të minoriteteve, përfshirë këtu edhe serbët. Ne jemi që të gjejmë modelin si të jetësohet dokumenti i Ahtisarit në pjesën veriore të Kosovës”, tha zoti Krasniqi duke nënvizuar më pas se gjithsesi, këto bisedime janë të domosdoshme.

Duke mbyllur fjalën e tij, kreu i Kuvendit të Kosovës foli për rolin e ndërkombëtarëve, që sic tha ai, është i domosdoshëm sidomos në Kosovë, edhe pse herë pas herë këshillat e tyre nuk janë nga më të mirat.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)