15 Maj 2024

Krasniqi priti ministrin Panariti

Prishtinë, 26 korrik - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe mundësinë e zgjerimit të mëtejmë të tij.

Duke e çmuar lart këtë bashkëpunim, ministri Panariti e konsideroi atë si model për vendet e tjera të rajonit.

Ai theksoi se ka hapësirë për rritjen e këtij bashkëpunimi, falë edhe lehtësirave të mëdha që ka krijuar ndërtimi i infrastrukturës rrugore në të dy anët e kufirit.

Ministri Panariti vlerësoi lart hapat cilësorë që ka bërë Kosova në rrugën e saj të zhvillimit e të integrimit, ndërsa u shpreh se qeveria shqiptare ndjek me vëmendje të veçantë të gjitha zhvillimet në Kosovë.

Ai konfirmoi mbështetjen e Tiranës zyrtare për shtimin e njohjeve të pavarësisë dhe shfaqi gatishmërinë për të ofruar të gjithë përvojën e Shqipërisë në procesin e integrimit euro-atlantik.

Duke përkrahur vendosjen e autoritetit të institucioneve të Kosovës në çdo pjesë të territorit të saj, shefi i politikës së jashtme shqiptare konfirmoi mbështetjen për Zyrën Administrative në veri dhe për zbatimin e Planit të Ahtisarit. 

Kryetari Krasniqi, duke e uruar ministrin Panariti për detyrën e re në krye të diplomacisë shqiptare, shfaqi kënaqësinë për rritjen e komunikimit e të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, me theks të veçantë, ndërmjet parlamenteve respektive.

Por, kryetari i Kuvendit të Kosovës theksoi rëndësinë e shfrytëzimit të hapësirave, të krijuara vitet e fundit, për forcimin e marrëdhënieve dhe rritjen e bashkëpunimit edhe në lëmenjtë e tjerë, në të cilët ky bashkëpunim është më i lehtë.

Në këtë kontekst, kryeparlamentari Krasniqi shtroi nevojën e krijimit të tregut të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, i cili, siç tha ai, do të ndikonte në një zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe ulje të papunësisë në të dy vendet.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)