18 Maj 2024

Krasniqi: Populli i Kosovës asnjëherë nuk ka pushuar në rrugën drejtë lirisë

Prishtinë, 6 korrik - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, në një ligjëratë të mbajtur sot para studentëve të Universitetit Amerikan AUK,  bëri një shpjegim kronologjik historisë së Kosovës që nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër e deri në ditët e sotme.  

Duke cekur elementet kryesore dhe sfidat  që e kanë përshkruar rrugën e historisë për të ardhur deri te shteti  i Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi, ligjëratën në Universitetin e AUK-ut, e nisi me zanafillën e problemit të Kosovës, përkatësisht, me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër.

“Fuqitë e mëdha, duke i parë rreziqet e një konflikti me përmasa më të gjëra në mes të fuqive të mëdha, Austro-Hungarisë, në njërën anë, e cila bëhej sikur po i mbron interesat e shqiptarëve dhe të Rusisë që mbronte interesat serbe, në Londër  organizuan mbledhjen e Ambasadorëve, vendimet e pa drejta të së cilës jashtë trojeve të tyre etnike lanë më shumë se gjysmën e popullit shqiptar”, tha kryeparlamentari Krasniqi.

Që nga ai vit (1913), vijoi Krasniqi, populli i Kosovës asnjëherë nuk ka pushuar së vepruari në rrugën e tij drejtë liris. Pas vendimeve të kësaj Konference, tha në vijim kryeparlamentari, Kosova bie nën pushtimin serb.

“Gjatë pushtimit serb, pavarësisht se ç’sistem dhe ç’lloj qeverisjeje ka qenë në Serbi, politikat ndaj popullit shqiptar kanë qenë shfarosëse”, tha Krasniqi. Kjo gjendje, tha në vijim kreu i Kuvendit, do të ndryshojë paksa pas Luftës së Dytë Botërore, në sistemin socialist me në krye Titon. Për shkaqet e realitetit politik, të  krijuar pas Luftës së dytë Botërore, i cili shqiptarët përsëri i vendosë në pozitën e të robëruarit  nga Serbia, Krasniqi,  vuri në pah prirjet hegjemoniste serbe ndaj popullit të Kosovës.

Në këtë kontekst, ai foli edhe për Konferencën e Bujanit 1943/44 dhe vendimet e saj, të cilat shprehin vullnetin politik të popullit shqiptar të Kosovës.

Ndonëse vendimet e kësaj Konference ishin që pas përfundimit të luftës, Kosova t’i bashkohet Shqipërisë, Serbia këto vendime i hodhi poshtë, duke shantazhuar organizatorët dhe pjesëmarrësit e një  konferencë tjetër e cila u mbaj në Prizren  më 1945, tha ai.

Në vijim të ligjëratës së tij, kreu i Kuvendit, foli për pozitën e shqiptarëve në ish Jugosllavi, për lëvizjet klandestine, burgosjet dhe demonstratat e vazhdueshme të cilat kulmojnë në vitin 1981.

Kreu i Kuvendit, pasi foli për autonomin e vitit 1974, për  të cilën tha se Serbia gjithherë e ka parë të tepërt, në vijim iu referua politikës serbe të udhëhequr  nga Millosheviqi. Politika e Millosheviqit, tha ai,  do të suprimojë këtë autonomi duke i zhveshur shqiptarët nga çdo e drejtë legjitime.

Pas kësaj, sqaroi ai, do të lindin alternativa politike ndaj sistemeve moniste, me ç’rast një gjë e tillë do të ndodhë edhe në Kosovë.

Me fillimin e shkatërrimit të ish Jugosllavisë popujt brenda saj do të fillojnë të kërkojnë liri të plotë. Këtë tha kryeparlamentari, Serbia nuk do të pranonte, duke u bërë kështu shkaktare e luftrave të përgjakshme në Ballkan. Për të ndalur këto lufta, vijoi Krasniqi, faktori ndërkombëtar do të organizojë konferencë ndërkombëtare në Dejton (1995), konferencë në të cilën nuk ftohen përfaqësuesit e Kosovës.

“ Mos ftesa e Kosovës në Dejton, ishte mesazh i qartë se realitetet e krijuar me luftë respektohet edhe nga vendimmarrësit ndërkombëtarë”, tha kreu i Kuvendit. 

Duke folur për zhvillimet e mëvonshme në Kosovë, kryeparlamentari Krasniqi, vuri në pah represionin e vazhdueshëm serb mbi Kosovën, deri te themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

 “Formimi i  UÇK-së, vjen si domosdoshmëri e kohës, për faktin se politika pacifiste nuk mund të jepte rezultate për jetësimin e lirisë së plotë të Kosovës.

UÇK-ja, është themeluar nga lëvizja klandestine LPK”, tha kreu i Kuvendit. Ai në vijim ligjëroi për masakrat në Likoshan dhe mbi familjen e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, si dhe masivizimin e vazhdueshëm të UÇK-së.

Në ligjëratën e tij, kryeparlamentari Krasniqi, rëndësi të veçantë i kushtoi Konferencës së Rambujesë dhe zhvillimeve gjatë bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe në Kosovë. Pas kësaj, po ashtu ai ligjëroi edhe për zhvillimet e fundit të pasluftës e deri te shpallja e Pavarësisë së Kosovës, për të cilën tha se është bërë në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar. 

Në fund të ligjëratës së sotme në AUK, kryeparlamentari foli për sfidat që ka Kosova në jetësimin e plotë të aspiratave të saja. Lidhur me këtë ai u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në OKB, njohja nga pesë shtetet anëtare të BE-së dhe përmirësimi i raporteve ndërshtetërore me Serbinë mbesin ende sfida.

Ndër sfidat tjera që aktualisht ka Kosova, kryeparlamentari përmendi zhvillimin ekonomik, papunësinë, sundimin e Ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Pas ligjëratës, kreu i Kuvendit Krasniqi, u përgjigj edhe në pyetjet për të cilat studentët e Universitetit AUK shprehën interesim.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)