05 Maj 2024

Kosova, shembulli më i suksesshëm i shtetndërtimit në rajon

Prishtinë, 11 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i është drejtuar me një fjalim në sesionin e parë të konferencës, “Kaptinë e mbyllur në Ballkan”, me temë “Tranzicioni në kohën e globalizimit”.

Në fjalimin e tij para shumë personaliteteve që kanë marrë pjesë në këtë konferencë e cila shënon përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, Ministri Hoxhaj, ka folur për eksperiencën e Kosovës në tranzicion, progresin e arritur dhe sfidat që ka përpara.

Në fillim të fjalës së tij, Hoxhaj ka thënë se Kosova në vite ka përjetuar tranzicion nga komunizmi drejt një shoqërie të hapur, nga lufta dhe gjenocidi drejt paqes, nga aparteidi dhe okupimi drejt një administrimi ndërkombëtar nga Kombet e Bashkuara, dhe së fundi nga mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë drejtë pavarësisë dhe sovranitetit të plotë në linjë me vlerat dhe normat evropiane.

“Rasti i Kosovës ka provuar se procesi i ndërtimit të shtetit dhe i institucioneve së bashku me tranzicionin politik, transformimin dhe konsolidimin janë tri aspekte të ndryshme por të ndërlidhura të një procesi gjithëpërfshirës të demokratizimit. Republika e Kosovës prezanton një shembull të qartë të një shteti të ndërtuar duke u bazuar në vullnetin politik të shumicës së popullit të tij”, ka thënë Hoxhaj.

Lidhur me shtetndërtimin dhe transformimin e mëtutjeshëm të Kosovës, Hoxhaj ka thënë se Kosova sot është e ndërtuar duke u bazuar në principet e demokracisë, multietnicitetit dhe sekularizmit dhe implementimi i Planit të Martti Ahtisaarit ka transformuar Kosovën si shtet dhe shoqëri.

“Kosova e pavarur është shembulli më i suksesshëm i shtetndërtimit në kontekstin e misioneve të ndryshme dhe operacioneve paqeruajtëse në pjesë të ndryshme të botës. Ajo është një projekt që nuk ka mundur të jetë i suksesshëm pa përpjekjet paqeruajtëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-së të cilat kanë kontribuuar me dhjetëra mijëra trupa në kampanjën e Kosovës. Sot, suksesi i jonë, është sukses i juaji”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu ka thënë se në këtë moment përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë demonstron se Kosova nuk është më një zonë e ndjeshme dhe se vlerat e demokracisë liberale mund të prevalojnë me një përkushtim të fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar.

“Ky proces, ka hapur një kapitull të ri të shtetësisë së Kosovës, duke ndërtuar institucione demokratike, ekonomi të lirë të tregut, infrastrukturë, administratë publike dhe të drejtësisë, edukim dhe kulturë”, tha Hoxhaj.

Rreth prioriteteve të Kosovës në të ardhmen, Ministri Hoxhaj, ka thënë se ato janë, modernizimi i shtetit, bërja e Kosovës konkurruese me shtetet e rajonit dhe Evropës, përmirësimi dhe reformimi i situatës ekonomike, integrimi në institucionet euroatlantike, lëvizja pa viza për qytetarët tanë dhe studimi i fizibilitetit, adresimi i situatës në komunat veriore dhe procesi i normalizimit të raporteve me Serbinë.

“Një ditë pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, ne mbesim plotësisht të përkushtuar që të jemi eksportues të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit duke kontribuuar aktivisht si një anëtar kredibil dhe i respektuar i komunitetit ndërkombëtar. Agjenda kryesore e institucioneve tona, së bashku me stabilitetin politik dhe zhvillimin ekonomik është anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, ka thënë Ministri Hoxhaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)