14 Maj 2024

Kosova po hyn në një fazë të forcimit dhe konsolidimit të saj

Prishtinë, 29 gusht - Nën drejtimin e Kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka miratuar tri projektligje, dy koncept-dokumente për hartimin e projektligjeve dhe shtatë vendime nga fushat e saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Kryeministri Hashim Thaçi, në fjalën e hapjes është shprehur se “Tanimë Kosova po hyn në një fazë të rëndësishme të forcimit dhe konsolidimit të saj. Përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë është dëshmi e qartë e pjekurisë së institucioneve të Kosovës dhe përgjegjësive të plota të saj.

Pjekuria dhe uniteti politik e qytetar, sipas tij kanë qenë vendimtar në përmbylljen e suksesshme të këtij procesi. Reformat kanë qenë po ashtu faktor i rëndësishëm që kemi bërë të kemi një vlerësim pozitiv ndërkombëtar.

“10 shtatori është  fitore e konsensusit tonë të brendshëm, është sukses është festë për gjithë qytetarët e  Kosovës. Ju falënderoj juve për punën që keni bërë, gjithë autoritetet lokale, gjithë spektrin politik për kontributin për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë” ka theksuar kryeministri Hashim Thaçi.

“Pavarësia e plotë nënkupton edhe përgjegjësi të plotë. Tani e tutje edhe më shumë duhet të kemi përkushtim për përmbushjen e reformave demokratike shumë të nevojshme për realizimin e qëllimit tonë për anëtarësim në NATO dhe BE. Tani të gjithë duhet të angazhohemi në këtë objektiv. Demokracia nënkupton participim e jo bllokim” ka vlerësuar kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e tij të hapjes në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë. Me këtë projektligj themelohen odat e profesionistëve shëndetësorë si organizata të pavarura dhe profesionale, rregullohet anëtarësimi në këto oda, kompetencat e tyre, organizimin dhe funksionimin, mbajtjen e regjistrit të anëtarëve, financimi dhe çështjet tjera për punën dhe funksionimin e këtyre odave.

Odat e Profesionistëve Shëndetësorë mbrojnë dhe prezantojnë interesat profesionale të anëtarëve të tyre dhe sigurojnë standard të larta etike dhe të deontologjisë shëndetësore.

Me Projektligjin për kontrollin e duhanit, të aprovuar sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, synohet mbrojtja e shëndetit publik, të gjeneratave të tanishme dhe të ardhshme të shoqërisë sonë. Me këtë projektligj përcaktohen edhe masat për ndalimin, kufizimin e përdorimit të produkteve të duhanit dhe parandalimi i pasojave nga përdorimi i produkteve të duhanit.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe Projektligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale i cili rregullon ekzekutimin e sanksioneve penale, kundërvajtëse, masat për trajtimin e detyrueshëm dhe aplikimin e masës së paraburgimit.

Projektligji për Pyjet, i miratuar sot nga Qeveria e Kosovës, krijon bazën ligjore për menaxhimin me pyje dhe toka pyjore si resurse kombëtare. Menaxhimi i pyjeve duhet të marrë parasysh edhe interesat publike. Projektligji siguron menaxhim të qëndrueshëm të pyjeve dhe tokave pyjore si pasuri me interes të përgjithshëm, rregullimin e aftësisë prodhuese, llojllojshmërinë biologjike, avancimi potencial I tyre për rregullimin e ndryshimeve klimatike si dhe funksionet e tyre ekologjike sociale.

Ligji për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit, është vlerësuar si bazë e mirë për luftimin e këtyre dukurive.  Mirëpo gjatë zbatimit të tij janë vërejtur zbrazëti të cilat janë duke shkaktuar vështirësi për punën e Njësisë së Inteligjencës Financiare, siç është rasti me raportimet e bankave, institucioneve financiare, inspektimi i tyre nga Njësia e Inteligjencës Financiare dhe aspekti i ndëshkimit të tyre. Miratimi i koncept-dokumentit për hartimin e ndryshimit dhe plotësimit të këtij Ligji do ti hap rrugë evitimit të këtyre mangësive.

 Koncept-dokumenti për hartimin e Projektligjit për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor, i miratuar gjithashtu sot nga Qeveria e Kosovës, do të mundësojë fillimin e punës në hartimin e këtij Projektligji Kjo fushë deri më tani ka qenë e rregulluar më rregullore të UNMIK-ut.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar propozimin për Kuvendin e Kosovës për anëtarë të Bordit të Pavarur për Rishqyrtime. Plotësimi i këtij bordi është bërë me qëllim që ai të mbetet funksional për shkak se gjashtë anëtarëve të këtij bordi ju ka skaduar mandati.

Me vendim të kabinetit qeveritar është miratuar shenja Nacionale Z6 si shenjë e thirrjes dhe për shërbimet e radiove amatore në hapësirën gjeografike të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës, në cilësinë e ushtruesit të ligjshëm të drejtave të aksionarit të Republikës së Kosovës në Ndërmarrjen Publike “Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës Sh.A” (“PTK”), ka vendosur që të kërkojë nga PTK dhe Bordi i Drejtorëve të PTK-së, deklarimin dhe pagesën e dividendës  për aksionarin, në shumën prej dhjetë milion (10,000,000) Euro.

Me aprovimin e vendimit për furnizimin me grurë për nevojat e Rezervave Shtetërore të Mallrave, miratuar sot në mbledhjen e kabinetit qeveritar, është vendosur që furnizimi me grurë për nevojat e Rezervave Shtetërore të Mallrave kryhet përmes tenderimit publik. Sipas vendimit, gruri duhet të jetë prodhim i vitit 2012 dhe të plotësojë standardet e njohura ndërkombëtarisht.

Qeveria ka miratuar vendim të veçantë për përcaktimin e vlerës dhe sasisë maksimale të humbjeve mbi bazën e vetive fizike dhe kimike të mallit të rezervës nëpërmjet firës, shpërndarjes, thyerjes prishjes dhe avullimit gjatë punës me mallrat e rezervës Si firë, shpërndarje, thyerje, prishje dhe avullim llogaritet humbja e mallit e cila ndodhë si rezultat i manipulimit me mallrat e rezervës gjatë deponimit, përdorimit, vetive fizike dhe kimike të mallit si tharja, avullimi, shkrirja, thyerja dhe prishja. Për grurin pranohet fira në lartësi prej 0.2% të sasisë së grurit të magazinuar për periudhë një vjeçare të ruajtjes.

Në funksion të rregullimit dhe funksionimit të Rezervave Shtetërore të Mallrave, Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe vendimin për përcaktimin e lartësisë së kompensimit të shpenzimeve për magazinim, ruajtje dhe ripërtëritje të mallrave të rezervës.

Për magazinimin, ruajtjen dhe ripërtëritjen e produkteve agro-ushqimore, si kompensim u merret parasysh e drejta për të shfrytëzuar 30% të sasisë së mallrave të rezervës të magazinuar për nevojat e veta gjatë vitit në vijim me obligim që tërë ajo sasi të jetë e kompensuar deri me 31 dhjetor të çdo viti.

Në rastet kur paraqitet nevoja e intervenimit me miell nga ana e Departamentit për Rezervat Shtetërore për situata të vlerësuara si të jashtëzakonshme, magazinuesi obligohet që për sasinë e nevojshme, grurin ta shndërroj në miell, për këtë magazinuesit si kompensim i jepet sasia e mbetur si hime të grurit.      

Për magazinimin, ruajtjen dhe ripërtëritjen e naftës dhe derivateve të naftës, si kompensim u merret parasysh e drejta për të shfrytëzuar 30% të sasisë së mallrave të rezervës të magazinuar për nevojat e veta gjatë vitit në vijim me obligim që tërë ajo sasi të jetë e kompensuar deri me 31 dhjetor të çdo viti.

Qeveria e Kosovës ka aprovuar vendimin për mbështetjen financiare të komisionit të Shoqatës së ish-të Burgosurve Politik në identifikimin, grumbullimin dhe përpunimin e të dhënave të ish të burgosurve politik në Kosovë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)