27 Prill 2024

Kosova nënshkruan marrëveshje ndërshtetërore me Norvegjinë

Oslo, 29 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Norvegji, është pritur nga kryeministri i Norvegjisë, Jens Stoltenberg.

Temë bosht e takimit mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Norvegjisë, Jens Stoltenberg,  ishin marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Norvegjisë, thellimi i këtyre marrëdhënieve në fushat me interes të përbashkët, si dhe mbështetja e Norvegjisë për Kosovën në procesin e njohjeve të reja për shtetin e Kosovës dhe në procesin e integrimeve euroatlantike.

Kryeministri i Norvegjisë, Jens Stoltenberg mirëpriti vizitën kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Norvegji, vizitë kjo e parë e një kryeministri të shtetit të Kosovës në këtë shtet skandinav.

Në takimin me kryeministrin Thaçi, kryeministri i Norvegjisë, Stoltenberg theksoi përkrahjen e Qeverisë Norvegjeze për konsolidimin dhe forcimin e shtetit demokratik të Kosovës dhe u shpreh për vazhdimin e mbështetjes së Norvegjisë për Kosovën në kuadër të procesit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës, si dhe shprehu mbështetjen për perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Kryeministri norvegjez, Stoltenberg gjatë takimit me kryeministrin Thaçi, gjithashtu potencoi mbështetjen e Qeverisë Norvegjeze për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi falënderoi homologun e tij, kryeministrin e Norvegjisë, Jens Stoltenberg për mbështetjen e vazhdueshme që Norvegjia i ka dhënë Kosovës, me theks të veçantë me njohjen e shpejtë të pavarësisë, dhe në rritjen e numrit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës.

Kryeministri Thaçi në takim me kryeministrin norvegjez u shpreh për nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Norvegjisë, për shkëmbimin e përvojave në fusha të ndryshme, si në fushën ekonomike, të arsimit, të drejtësisë dhe në fushat tjera me interes të përbashkët.

Duke u fokusuar në përkushtimet për zbatimin e vizionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ftoi investitorët norvegjez që të investojnë në Republikën e Kosovës, duke theksuar se Kosova si shteti i ri ofron mundësi të mëdha për investime ekonomike ndërkombëtare.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Norvegjisë, Jens Stoltenberg nënshkruan një marrëveshje ndërshtetërore të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Norvegjisë.

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)