28 Prill 2024

Kosova nderon viktimat e 11 shtatorit në SHBA

Prishtinё, 11 shtator - Në përkujtim të dhjetë vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, do të organizojë një ceremoni përkujtimore për të nderuar viktimat e kësaj dite tragjike për SHBA-të dhe krejt botën demokratike.

Në shenjë nderimi për viktimat dhe solidarizimi me të mbijetuarit, familjet dhe kombin e madh amerikan, ftohen qytetarët e Prishtinës, sot, në ora 19:00, të ndezin qirinj para Teatrit Kombëtar të Kosovës, në qendër të Prishtinës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës fton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që të bashkohen në solidarizimin dhe nderimin për viktimat e 11 shtatorit, duke riafirmuar frymën e partneritetit dhe respektit të ndërsjellë dhe dënuar sulmet terroriste kundër lirisë, demokracisë dhe botës së përparuar perëndimore.

Populli i Republikës së Kosovës tashmë e ka shndërruar këtë përvjetor në ditë të kujtesës dhe respektit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleates themeltare të shtetësisë së Kosovës.

Në këtë ditë, përmes akteve të bamirësisë dhe bashkimit të njerëzve të moshave, besimeve dhe përkatësive të ndryshme etnike, do të nderohen viktimat e sulmeve terroriste në mbarë botën.

Më 11 shtator 2001 në SHBA, afërsisht 3 mijë njerëz vdiqën, përfshirë edhe bashkëkombës tanë, kur terroristët rrëmbyen katër aeroplanë të linjave civile ajrore dhe fluturuan drejt kullave binjake të Nju Jorkut dhe Pentagonit. Aeroplani i katërt u rrëzua në shtetin lindor të Pensilvanisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)