05 Maj 2024

Kosova, kapitull i mbyllur në Ballkan

Prishtinë, 11 shtator - Presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga në konferencën “Kapitull i mbyllur në Ballkan” ka nisur fjalimin duke thënë se po e përmbyllim një kapitull të historisë më të re të Kosovës, për të hapur vizionin e shtetit të bërë dhe demokratik.

\"Po hapim një faqe të re të historisë sonë - të synimit të qytetarëve të Kosovës që si popull i lirë, i dinjitetshëm dhe i barabartë të bëhen pjesë e familjes së madhe evropiane\", ka theksuar ajo.

Para përfaqësueve ndërkombëtare presidentja u shpreh se me këtë hap Kosova realizon një ëndërr të kamotshme për liri, pavarësi e demokraci, për të cilën punuan dhe sakrifikuan gjenerata të tëra gjatë gjithë historisë sonë. 

\"E ardhmja e Kosovës është e sigurt – si pjesë e pandashme dhe e barabartë e Evropës, me unitetin e vizionit politik që siguron paqe dhe përparim, një të ardhme të qëndrueshme, të integrimit dhe bashkëpunimit ndërmjet të gjitha vendeve dhe popujve të rajonit. Rruga jonë është rrugë e integrimit dhe ajo është e ndërtuar së bashku me BE-në, që i ka ofruar Kosovës mundësi të reja dhe përafrim me të.

Rruga e qartë evropiane për të gjithë rajonin, të gjitha shtetet sovrane të tij, do të krijojë stabilitet të plotë në këtë pjesë të Evropës dhe do të ndihmojë në ndërtimin e urave të miqësisë mes të popujve. BE-ja duhet të flasë me një zë për rajonin dhe në veçanti për Kosovën, sepse kjo do të ndihmonte në përafrimin e dallimeve mes vendeve\", u shpreh ajo.

Më tej presidentja deklaroi se shteti demokratik i Kosovës po ndërtohet mbi parimet e fuqishme të rendit dhe të sundimit të ligjit me përpjekjet dhe synimin që luftën kundër dukurive negative, përfshirë korrupsionin dhe krimin e organizuar. 

\"Rendi dhe ligji janë parimet mbi të cilat është ndërtuar demokracia jonë e brendshme, duke qenë bazë e zhvillimit tonë të përgjithshëm, do të jenë fuqi e shtetit tonë dhe do të shtrihen në çdo cep të Kosovës. Kosova është një dhe e pandashme! Kosova është vend i mundësive të barabarta për të gjithë.\"

\"Kosova është atdhe i të gjithëve, një vend me institucione të një shteti modern, gjithëpërfshirës dhe demokratik.  E sotmja na e hap rrugën e së ardhmes dhe atë do ta kalojmë së bashku\", vijoi më tej ajo.

Ndërkaq, Kryeministri Hashim Thaçi, ka thënë se dita e sotme është ditë historike për vendin, duke shtuar se vendin e presin edhe shumë sfida të mëdha.

“Sot është dita e parë e këtij fillimi historik për ne, nga sot e tutje sfidat e shumta e të reja do të qëndrojnë para shtetit të ri të Kosovës. Mirëpo, janë këto sfida të zakonshme të shteteve të pavarura të shoqërive të përgjegjshme, janë sfida të kuptueshme, të pranueshme dhe të tejkalueshme. Pikërisht, këtë e shoh si moment tepër me rëndësi në historinë e shtetit tonë të ri, momentin kur arritëm që të trajtohemi të barabartë nga të tjerët dhe që veten ta përjetojmë të barabartë me të gjithë”, ka theksuar Thaçi.

Sipas tij, fundi formal i mbikëqyrjes së pavarësisë e mundëson këtë.

“Ajo mundëson që përmes këtij trajtimi të barabartë të rritet vetëdija jonë mbi përgjegjësitë e përbashkëta që kemi ndaj qytetarëve, ndaj fqinjësisë dhe ndaj mbarë botës demokratike”, ka thënë ai.

Gjithashtu ai ka theksuar se prej sot Kosova nuk do ta ketë më Grupin Drejtues Ndërkombëtar, por nuk do të ketë as hapësirë për t’u arsyetuar dhe në këtë drejtim ai ka shtuar se sukseset e ardhshme do të shpërblehen, porse edhe dështimet do të ndëshkohen.

Në këtë konferencë një fjalë rasti e ka mbajtur edhe Pieter Feith, deri dje mbikëqyrës i pavarësisë së Kosovës.

Ai ka thënë se dje ishte vetë dëshmitar i përmbylljes së një kapitulli të fundit për Ballkanin, duke shprehur kënaqësi që është pjesë e një konferencë në të cilën Republika e Kosovës e hap një kapitull të ri.

“Dje pas dite në aktin e fundit si përfaqësues civil ndërkombëtar në mbikëqyrjen e implementimit të pakos së Ahtisaarit kam qenë dëshmitar i përmbylljes së kapitullit të fundit për Ballkanin dhe jam i kënaqur që marrë pjesë në këtë konferencë për fillimin e ri të Kosovës në kapitullin e ri dhe këtë nuk do ta bëj më si një përfaqësues civil ndërkombëtar, por si një qytetar civil i Bashkimit Evropian”, ka thënë ndër të tjera Feith.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)