19 Maj 2024

Kosova i jep fund pavarësisë së mbikëqyrur

Prishtinë, 7 shtator - Kuvendi i Republikës së Kosovës me 98 vota për, përfshirë këtu edhe 22 votat e komuniteteve, 10 kundër dhe 1 abstenim, miratoi sot fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë.

Kështu u miratuan 22 amendamentet në Kushtetutën aktuale të Kosovës, që sanksionojnë përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së vendit tonë.

Paraprakisht në seancën e sotshme të Kuvendit të Kosovës përfaqësuesit e grupeve parlamentare u deklaruan reth këtyre ndryshimeve.

Kryetari i Komisionit për ndryshimet Kushtetuese, Arsim Bajrami e cilësoi këtë si një ditë historike për Kosovën, që koincidon edhe me 22 vjetorin e nxjerrjes së Kushtetutës  së Kaçanikut e cila përcaktonte qysh në atë kohë, Kosovën si shtet të pavarur e sovran.

“Pa dyshim që 7 shtatori është një moment historik për Kosovën. Një proces i filluar para 22 vjetësh me miratimin e Kushtetutës së Kaçanikut, kurse sot po përmbyllet me fitimin e pavarësisë së plotë për Republikën e Kosovës."

"Ky është një moment falënderimi për të gjithë ata që kontribuuan që Kosova sot të jetë shtet i pavarur e sovran dhe pa mbikëqyrje ndërkombëtare”, është shprehur Bajrami.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se problemet e shumta me të cilat ballafaqohet Kosova e zbehin këtë ditë.

Andaj, ai tha se LDK do t’i mbështesë si ndryshimet kushtetuese ashtu edhe mandatin e EULEX-it, por rikujtoi qeverinë se nuk ka vend për festë.

“LDK-ja është e vetëdijshme se Kosova ka probleme të mëdha, siç janë korrupsioni, mungesa e sundimit të ligjit, varfëria, mos-zhvillimi ekonomik dhe mbi të gjithat, mos-ushtrimi i sovranitetit në gjithë territorin e vendit, veçmas problemi i veriut si dhe probleme tjera. Andaj, nuk ka vend për festime të mëdha dhe festën duhet ta shndërrojmë në punë, përgjegjshmëri e veçmas qeveria e Kosovës në ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit”, ka thënë Beqiri.

Vetëm Grupi parlamentar i Vetëvendosjes u deklarua kundër ndryshimeve, me arsyetimin se ato nuk përmbushin kërkesën për heqjen e mbikëqyrjes, por për vazhdimin e saj ndaj Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie politike, Visar Ymeri tha se me këto ndryshime kushtetuese nuk po përmbyllet mbikëqyrja, por po fillon një fazë e re e saj.

“Në disa amendamente që po i votoni sot, ka sforcim të këqijave që kanë qenë deri më tani në Kushtetutën e Kosovës. Nëse dikur pyet a po e heqim Piter Fejthin (Shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare), po e heqim Fejthin, por nëse dikush pyet a po e heqim mbikëqyrjen ndërkombëtare, në disa aspekte ne po e forcojmë atë”, theksoi Ymeri.

Heqja e mbikëqyrjes ndërkombëtare ishte një vendim edhe i Grupit Drejtues Ndërkombëtar në përbërje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian që e kanë njohur Kosovën dhe Turqia, i cili kishte konstatuar paraprakisht se Kosova ka përmbushur obligimet kryesore që i kishte me zbatimin e Planit të Ahtisarit- që njihet edhe si marrëveshja për statusin e Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)