02 Maj 2024

Kosova faktor i fuqishëm i avancimit të bashkëpunimit rajonal

Luksemburg, 21 qershor – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës Enver Hoxhaj, gjatë punimeve të Forumit për Ballkanin Perëndimor në Luksemburg, ka shprehur përkushtimin e fuqishëm të Kosovës për të avancuar në të gjitha aspektet bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën Evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Ministri Hoxhaj, i cili po merr pjesë në këtë Forum me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Baroneshës Catherine Ashton, ka thënë se Republika e Kosovës është shndërruar në faktor të avancimit të bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor, duke krijuar marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha shtetet e rajonit, të cilat e kanë njohur pavarësinë.

“Kosova ka relacione të shkëlqyeshme me të gjitha shtetet e rajonit, të cilat, me përjashtim të Serbisë dhe Bosnjës, e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe po krijojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme duke i shërbyer stabilitetit dhe perspektivës evropiane të Ballkanit perëndimor”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj, po ashtu, ka folur për çështjen e dialogut teknik me Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë në Bruksel, i cili buron nga rezoluta e OKB-së e datës 9 shtator 2010, rezolutë e cila ka qëndrim të qartë ndaj mendimit të GJND-së për legalitetin e plotë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. “Unë do t’ju kisha raportuar sot për sukseset e para në këtë aspekt, sikur Serbia të kishte pranuar ofertën e BE-së për disa çështje teknike”, ka thënë Hoxhaj.

Gjatë fjalimit në Forum, Ministri ka ngritur edhe çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, proces i cili tashmë është realizuar për 50 milionë banorë të rajonit, me përjashtim të 2 milionë kosovarëve.

Duke iu referuar këtij fakti, Ministri Hoxhaj ka thënë se Kosova nuk guxon të jetë vend i izoluar dhe populli i saj, popull i harruar duke iu pamundësuar lëvizja e lirë si të gjithë banorëve të tjerë të shteteve të rajonit. Hoxhaj i ka bërë thirrje BE-së që t’i mundësojnë sa më parë Kosovës lëvizjen e lirë, duke i dhënë Kosovës udhërrëfyesin e procesit të liberalizmit të viza, i cili do t’i mundësonte Kosovës të angazhohet fuqishëm në përmbushjen e kritereve të kërkuara për këtë proces.

Ndërkaq, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, gjatë punimeve të Forumit, duke iu referuar Kosovës, ka veçuar rëndësinë e dialogut teknik i cili po zhvillohet në Bruksel. Në këtë drejtim, Ashton ka thënë se ky proces duhet të ofrojë zgjidhje teknike të cilat, sipas saj, janë shumë të rëndësishme për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Komisionari për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule, ka thënë se Kosova ka perspektivë të qartë evropiane duke inkurajuar autoritetet e Kosovës që të vazhdojnë me reformat e duhura.

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto duke përshëndetur praninë në Forum të Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova duhet të jetë prezent në të gjitha nismat dhe organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.

Në Forumin për Ballkanin Perëndimor, që i zhvilloi punimet në Luksemburg, kanë marrë pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor. 

Ministri Hoxhaj, ka zhvilluar takime të ndara me shumë Ministra të Jashtëm të BE-së dhe të vendeve të rajonit, të përfaqësuar në këtë Forum. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)