28 Prill 2024

Kosova dhe Finland nënshkrun marrëveshje për Ri-pranim

Prishtinë, 29 nëntor - Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi dhe ministrja e Punëve të Brendshme të Republikës së Finlandës, Paivi Rasanen, nënshkruan Marrëveshjen për Ri-pranim në mes të dy shteteve.

Nënshkrimi i Marrëveshjes për Ri-pranim me Republikën e Finlandës u bë në objektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Me këtë rast, ministri Rexhepi, tha se nënshkrimi i Marrëveshjes për Ri-pranim është vazhdimësi e punës së MPB-së, në procesin e përmbushjes së kritereve për Liberalizimin e Vizave.  

“Nënshkrimi i Marrëveshjes për Ri-pranim me Finlandën është më tepër një bazë legale sepse nuk kemi probleme të ekstradimeve të njerëzve të cilët nuk e kanë rregulluar statusin e tyre në këtë vend. Megjithatë ne po i përmbushim obligimet tona në procesin e përmbushjes së kritereve për Liberalizimin e Vizave”, tha ministri Rexhepi.

Gjithashtu, ministri Rexhepi falënderoi Republikën e Finlandës për përkrahjen dhe kontributin e dhënë për Republikën e Kosovës, duke shprehur gatishmërinë në bashkëpunime të mëtejme, me theks të veçantë në fushën e Menaxhimit të Integruar të Kufirit.

“Në emër të qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve tona, ju falënderojmë për ndihmën që na keni ofruar vazhdimisht, duke përfshirë edhe ndihmën e presidentin Marti Ahtisaari. Ndihma e Finlandës ka qenë e gjithanshme, ne presim edhe në të ardhmen të na ndihmojë në shumë fusha, sidomos në Menaxhimin e Integruar të Kufirit, ku Finlanda është lider në implementimin e këtij projekti i cili ka shërbyer si model edhe në vendet tjera”, tha ministri Rexhepi.

Ndërsa ministrja e Punëve të Brendshme e Finlandës, Paivi Rasanen, theksoi se nënshkrimi i Marrëveshjes për Ri-pranim është pjesë e bashkëpunimit të mirë që kanë këto dy vende.

“Ishte kënaqësi që nënshkruam Marrëveshjen për Ri-pranimin e personave nga Kosova që nuk e kanë të rregulluar qëndrimin e tyre  në Finlandë. Më duhet të them që ne nuk kemi pasur ndonjë problem në Finlandë në këtë çështje, por, ne shohim se kjo është sikurse marrëveshjet tjera në mes të Kosovës dhe shteteve tjera të BE-së, që kanë rëndësi të madhe në njohjen më të gjerë të pavarësisë së Kosovës nga shtetet anëtare të BE-së”, tha ministrja Rasanen.

Ministrja Paivi Rasanen theksoi se mbështetja e Finlandës për Republikën e Kosovës do të vazhdojë edhe më tutje.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)