06 Maj 2024

Konferenca "Gërmia Hill" pa rezultate

Prishtinë, 21 nëntor - Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, e ka quajtur të suksesshme konferencën “Gërmia Hill”, ani pse në këtë konferencë nuk është arritur ndonjë rezultat konkret.

“Konferenca ka qenë e suksesshme, e cila ka tubuar në Prishtinë, si asnjëherë më parë, shumë diplomatë të huaj. Ata kanë diskutuar me ekspertë vendës për pozicionin e Evropës Juglindore në epokën multipolare. Në Kosovë është mbajtur një eveniment i tillë për herë të parë. Numri i diplomatëve të huaj tregon për rëndësinë dhe suksesin e kësaj konference”, ka thënë Selimi për “Epokën e re”.

I pyetur konkretisht për rezultatet e kësaj konferencë, Selimi është përgjigjur në këtë mënyrë: “Dërgomi pyetjet në e-mail adresë e të përgjigjem më mirë, pasi është diskutuar gjerë e gjatë për shumë çështje”.

Sipas Selimit, mosardhja e ministrit të Jashtëm francez dhe atij turk nuk e ka zbehur rëndësinë e konferencës. “Ministri i Jashtëm francez Bernard Kouchner nuk ka mundur të vijë për shkak të mjegullës në Aeroportin e Parisit, ndërsa ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu në minutat e fundit e ka anuluar pjesëmarrjen për shkak se ka qenë i angazhuar rreth situatës në Siri, por kanë ardhur ministrat e tjerë dhe gjithçka ka ecur mirë”, ka deklaruar Selimi.

Ai ka bërë me dije se të gjitha shpenzimet e kësaj konference janë mbuluar nga donacioni i qeverisë britaneze në vlerë prej 125 mijë eurosh dhe se asnjë cent nuk është shpenzuar nga buxheti i Kosovës. “125 mijë euro ka qenë vlera e donacionit të qeverisë britaneze për këtë konferencë, ndërsa prej buxhetit të Kosovës nuk janë marrë fare mjete”, ka theksuar Selimi.


Përderisa Selimi e ka vlerësuar të suksesshme konferencën “Gërmia Hill”, një vlerësim krejtësisht tjetër për këtë konferencë ka dhënë analisti Behxhet Shala. Ai ka thënë se nuk mund të quhet e suksesshme kjo konferencë nga e cila nuk ka pasur asnjë përfundim konkret. “Nuk e di pse është e suksesshme dhe mbi bazën e çfarë arsye kanë deklaruar për atë sukses. Ishte një konferencë e llojit të konferencave që organizohen për çdo ditë në vendet e ndryshme të Evropës.

Ndoshta e kanë quajtur të suksesshme vetëm për arsye se kanë ardhur një numër i madh i njerëzve, por kjo konferencë nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret, në bazë të të cilit pastaj do të mund të deklarohej se ka pasur sukses. Prandaj, nuk mund të quhet e suksesshme kur nuk ka konkluzione”, ka thënë Shala për “Epokën e re”, duke shtuar se edhe mospjesëmarrja e dy ministrave të shteteve të rëndësishme, siç është Franca dhe Turqia, ka treguar për nivelin e konferencës.  “Përjashtuar disa diplomatë dhe politikanë të vendit, pjesëmarrësit e tjerë në këtë konferencë kanë qenë njerëz të cilët jetojnë prej këtyre konferencave. Ndërsa ministri francez dhe ai turk ka mundësi që nuk kanë ardhur pasi kanë vlerësuar se nuk është konferencë e nivelit që ata duhet të marrin pjesë. Siç duket, ata kanë pasur punë më të rëndësishme”, ka theksuar Shala.

Më tutje, Shala ka thënë se në këtë konferencë është dashur të ftohen edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, të “cilët ndoshta nuk janë ftuar për arsye se do të diskutonin në kundërshtim me qëllimin dhe përmbajtjen e konferencës”.

“Është dashur të ftohet sidomos kryeparlamentari Jakup Krasniqi, por edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, i cili është edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme. Ndoshta nuk janë ftuar nga organizatorët të cilët kanë vlerësuar se, po të kishin marrë pjesë në këtë konferencë Krasniqi e Kurti, do të diskutonin në kundërshtim me qëllimin dhe përmbajtjen e konferencës”, është shprehur Shala.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)