05 Maj 2024

Komuna inkurajon banorët e Lagjes së Boshnjakëve

Mitrovicë, 9 dhjetor  - Komuna e Mitrovicës e mbështetur nga institucionet qendrore ka intensifikuar projektet që kanë të bëjnë me krijimin e kushteve më të mira për jetë për banorët e veriut.

Në këtë kontekst, dora e shtetit kosovar është mirëpritur në të gjitha lagjet e veriut dhe sidomos nga banorët shqiptarë që jetojnë në kushte të rënda.

Kjo mbështetje ka bërë që edhe bashkëpunimi me qytetarë të jetë në një nivel të lartë. Kjo është vlerësuar si një mënyrë e duhur për krijimin e një ambienti të shëndoshë, duke pasur parasysh rrethanat që janë në veri.

Projektet që janë realizuar dhe po realizohen në Lagjen e Boshnjakëve kanë ngritur edhe moralin e banorëve shqiptarë që jetojnë atje. Ata thonë se gjatë gjithë viteve të pasluftës nuk kanë pasur mbështetje të duhur nga institucionet kosovare, prandaj edhe shumë prej tyre i kanë shitur shtëpitë.

Florent Azemi, përfaqësues i Lagjes së Boshnjakëve, tha se janë bërë disa hapa simbolikë por që kanë rëndësi të madhe për kthimin e besimit tek qytetarët shqiptarë që janë duke jetuar në kushte të rënda. “Ne para së gjithash kemi nevojë për të qenë afër me institucionet tona. Ato krijojnë besim që është shumë me rëndësi për ne, meqë rrethanat janë tejet të rënda”.

Në këtë aspekt, ai përmend se vetëm brenda disa muajve të fundit Komuna e Mitrovicës ka realizuar një serë projektesh. Përmendi ndarjen e ndihmave ushqimore që është bërë dy herë gjatë kësaj periudhe për të gjithë banorët, mandej rinovimin e 11 shtëpive, mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit për studentët etj.

Poashtu si një projekt tejet të rëndësishëm që ka filluar më vitin e kaluar ceku rindërtimin e 18 shtëpive. “Këtu çfarëdo projekti që ka të bëj me përmirësimin e kushteve ekonomike është i mirëseardhur. Papunësia është e madhe, shumica jetojnë me asistencë sociale prandaj nevojitet një mbështetje e vazhdueshme”.

Të inkurajuar me këto nisma në këtë lagje, përfaqësuesit e banorëve atje kanë ndarë mirënjohje për kryetarin e Komunës, Avni Kastratin, mandej drejtorët komunalë, Rasim Veseli, Behxhet Bala, Mehdi Bala, Kastriot Jashari e Lulzim Zeqiri si dhe për zëvendësministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj. “Është bërë një punë e mirë që duhet të vlerësohet. Shpresojmë në vazhdimin e përkrahjes”, tha ai pasi ka ndarë mirënjohjet në një lokal në Lagjen e Boshnjakëve.   

Në anën tjetër, zyrtarët komunalë që ishin të pranishëm në këtë takim me përfaqësuesit e lagjes, theksuan se është obligim i tyre që të jenë përkrah qytetarëve. Drejtori i Urbanizmit, Mehdi Bala, tha se komuna në kuadër të mundësive që ka do të vazhdoj të jetë pranë qytetarëve në veri.

Ai tha se të gjithë drejtorët komunalë të prirë nga kryetari Kastrati, kanë prioritet qytetarët e veriut. “Jemi të vetëdijshëm se nevoja këtu është shumë e madhe, por kemi edhe mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe gradualisht do të ketë rritje të investimeve në të mirë të të gjithë qytetarëve që jetojnë këtu”. 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)