14 Maj 2024

Koalicioni PDK-AAK do të varet nga vendimi i Hagës

Prishtinë, 30 korrik - Koalicioni i mundshëm ndërmjet partisë së kryeministrit aktual Hashim Thaçi, PDK, dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, varet nga vendimi që Haga do të japë për liderin e AAK-së.

Nëse nga Haga vjen vendimi që ish-komandanti i zonës operative të Dukagjinit është i pafajshëm, atëherë muaji shtator do të krijojë mundësinë, që dy nga ish-liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ulen së bashku dhe të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje.

Ajo që tashmë është e qartë nga të dyja partitë është se armiqësia e vjetër tashmë është zbutur dhe tensionet më nuk ekzistojnë mes dy krerëve të dalë nga UÇK-ja.

Si në PDK, ashtu dhe në AAK, thonë se më nuk ekziston tension mes dy krerëve Thaçi dhe Haradinaj. Zyrtarë të ndryshëm nga këto parti kanë thënë për mediat kosovare ashtu si po shkojnë punët, koalicioni PDK-AAK duket i pashmangshëm.

Natyrisht, gjithçka varet edhe nga marrëveshja e palëve për qeverisje, por një gjë është e sigurt, Hashim Thaçi nuk planifikon të tërhiqet nga ky mandat si kryeministër, por nuk ka interesim të mbetet kryeministër në mandatin e ardhshëm.

zyrtarëve, AAK-ja mund të hyjë në koalicion me PDK-në në këtë mandat, me marrëveshjen që nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Qeverinë do ta udhëheqë Ramush Haradinaj, ndërsa kryeministri aktual Hashim Thaçi nuk do ta vazhdojë mandatin e tretë, por do t`i kthehet partisë si lider i saj.

Jozyrtarisht, një bashkëpunëtor i afërt me Hashim Thaçin ka theksuar se koalicioni me AKR-po dhe partitë e tjera që iu bashkuan Pacollit, po bëhet çdo ditë e më i vështirë për t`u menaxhuar. 

Por, Vlora Çitaku nga PDK-ja, aktualisht ministre për Integrim, thotë deklarimet për një koalicion të mundshëm me AAK-në janë ende në nivel të spekulimeve dhe se nuk ka pasur takime zyrtare për këto tema.

Edhe kjo deklaratë është indikative duke e ditur se në të kaluarën e afërt, këta dy liderë dhe përkrahësit e tyre, ishin ashpërsuar shumë me njëri-tjetrin, duke shkëmbyer akuza e kërcënime të ashpra, edhe publike.

Marrëdhëniet ishin përkeqësuar sidomos kur Haradinaj hyri në koalicion me LDK-në, në kohën e Rugovës, duke e lënë PDK-në në opozitë. Më vonë, partia e Haradinajt e akuzonte qeverinë e Thaçit se udhëhiqet nga SHIK-u.

Këto akuza duket se tashmë janë harruar. Mirëpo, publikisht, udhëheqësit e PDK-së ende nuk po jepen. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, njëherësh sekretar i Përgjithshëm i PDK-së i ka quajtur spekulime paralajmërimet për një koalicion “të krahut të luftës”.

Posti i kryeparlamentarit, të cilin e mban aktualisht Krasniqi, është përfolur t`i jepet AAK-së.

Edhe AAK-ja, zyrtarisht e mohon se ka diçka konkrete rreth ndonjë koalicioni PDK-AAK. Ahmet Isufi, nënkryetar i kësaj partie, thotë se për AAK-në zgjidhja më e mirë është qeveria të jetë me kryeministër Ramush Haradinaj.

 Por, Isufi i lidh zhvillimet politike në vend me ato që mund t`i paraprijnë një ndryshimi eventual në qeverisje në të ardhmen. Disa analistë politikë parashikojnë se AAK-ja në çdo variant do të jetë në qeverinë e ardhshme.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)