17 Maj 2024

Kërkohet prani më e rregullt e deputetëve dhe e ministrave

Prishtinë, 26 shtator - Kryetari Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka takuar sot kryetarët e komisioneve parlamentare për të diskutuar mundësitë e përshpejtimit të shqyrtimit të projektligjeve nga ana e komisioneve parlamentare.

Kryeparlamentari Krasniqi ka theksuar faktin që Qeveria e Kosovës nga 1 janari i këtij viti e deri në ditën e djeshme ka proceduar në Kuvend 61 projektligje.

Deri më tani janë miratuar 48 projektligje (disa prej tyre të bartura nga viti 2011), kurse 34 projektligje të tjera janë në procedurë parlamentare (13 prej tyre presin shqyrtimin e parë).

Duke konstatuar faktin që shtatë projektligje tanimë (për shkaqe të ndryshme) e kanë kaluar kohen për miratim, Krasniqi ka kërkuar të përshpejtohet shqyrtimi i projektligjeve nga ana e komisioneve dhe procedimi për miratim në seancë.

Kryetarët e komisioneve  parlamentare kanë raportuar për aktivitetet e komisioneve që i drejtojnë, në planin e miratimit të projektligjeve, duke i theksuar rezultatet, por duke i evidentuar edhe vështirësitë punës së komisioneve.

Disa nga drejtuesit e komisioneve janë ankuar për një numër ministrash të Kabinetit qeveritar, të cilët, në të shumtën e rasteve, nuk u përgjigjen ftesave të komisioneve për raportim për çështje të caktuara, si dhe për mospërgatitje të raporteve me shkrim, nga ministritë përkatëse.

Në funksion të rritjes së efektivitetit të legjislativit të vendit, në takim është kërkuar prani më e rregullt e deputetëve dhe e kabinetit qeveritar në mbledhjet plenare të Kuvendit të Kosovës.

Është kërkuar gjithashtu që Kuvendi të mos mblidhet më shumë se dy herë në muaj, por që seancat të kenë rend më të ngjeshur dite dhe të zgjasin edhe më shumë se një ditë, deri sa të përfundojnë të gjitha çështjet e parapara për shqyrtim.

Kryeparlamentari Krasniqi, në takimin e sotëm, ka kërkuar nga kryetarët e komisioneve që  t’i verifikojnë me kohë mandatet e kryesuesve dhe të anëtarëve të bordeve të agjencive të pavarura, si dhe t’i ndërmarrin procedurat e nevojshme për emërimin e të propozuarave në këto poste.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)