Kërcënimet në Kuvend, Prokuroria nis hetimet

“Konfirmojmë se kanë nisur hetimet lidhur dyshimet për kërcënim të zv. kryeministrit Bislimi nga deputeti Tahiri”, thanë nga PThP.
Të rikujtojmë se zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi ka dalë në foltoren e Kuvendit të Kosovës dhe tha se ish-ministri i Drejtësisë dhe shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri e ka sharë dhe fyer pasi iu ndal mikrofoni.
“Deputeti Abelard Tahiri nxori një sërë akuzash për ministren Haxhiu, ndërkaq pasi u mbyll mikrofoni në stilin e një banditi që i vendos shurdhuesin armës së tij u kthye kah unë dhe shprehu një sërë kërcënimesh, të cilat pastaj i shoqëroi me sharje dhe fyerje nga ulësja e tij. Do të ishte mirë që Prokuroria të merret me këtë rast”, tha Bislimi.
Po ashtu edhe ministri i Financave Hekuran Murati para deputetëve të Kuvendit ka theksuar se edhe ai ishte dëshmitarë ku Abelart Tahiri e shajti dhe e kërcënoi zv. kryeministrin Besnik Bislimin.
“Mund ta konfirmoi atë që e tha zv. kryeministri Bislimi. Pas mbylljes së mikrofonit, Abelard Tahiri e shajti dhe e kërcënoi zv. kryeministrin Bensik Bislimin. Nuk ishte vetëm gjuhë jo parlamentare, por shajtje dhe kërcënim”, tha Murati.
Ministri e ka ftuar Prokurorinë që ta marrë shumë seriozisht kërcënimin.
/GazetaSinjali/