03 Maj 2024

KE mbështet menaxhimin modern të kufijve në Kosovë

Prishtinë, 5 gusht - Funksionimi efektiv i sistemit të ri për menaxhimin e kufirit (SMK) është një e arritur tjetër e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit. Falë implementimit të sukseshëm të projektit të financuar nga BE-ja “Pajisje të BE-së për Policinë Kufitare të Kosovës”, kufijtë e Kosovës do të menaxhohen sipas standardeve evropiane.

Autoritetet kufitare përmes këtij projekti në vlerë prej 1.1 milion euro, kanë instaluar një sistem të komunikimit që mund të harmonizohet me atë Shengen dhe kanë pranuar pajisje për kontrollin kufitar.

Funksionimi efetiv i SMK-së do të mundësojë kalim të strukturuar dhe të formalizuar kufitar për njerëzit që hyjnë dhe dalin nga Kosova. Ky sistem gjithashtu do të paralajmërojë policinë kufitare për rastet kur kriminelë të kërkuar tentojnë të hyjnë apo të dalin nga vendi.

Ekonomikisht, SMK-ja kontribuon në stabilitetin e vendit dhe si rrjedhojë do të inkurajojë investimet e huaja në Kosovë. Ky sistem në planin afatgjatë do të përmirësojë mirëqenien ekonomike të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Zyra Ndërlidhëse e KE-së së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë organizuar një ngjarje për inaugurimin e sistemit të ri. Dita e ceremonisë koincidon me ditën fundit në Kosovë të z. Kjartan Björnsson, ushtrues detyre i Shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, i cili ka punuar në Kosovë për më shumë se katër vite.

Me këtë rast, Björnsson tha: “Ky sistem do të ndihmojë policinë kufitare për  kontrollim më efektiv dhe efikas të kufinjve dhe të qarkullimit të njerëzve, që paraqet element të rëndësishëm të procesit të dialogut për viza. SMK do të rrisë kapacitetin e autoriteteve për kontrollimin e kalimeve ilegale të kufirit dhe për luftimin e krimit të organizuar.\"

Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi theksoi se \"Sot është një ditë e shënuar për të gjithë ne. Në vazhdën e ngritjes së kapaciteteve të agjencive të zbatimit të ligjit, sot promovojme funksionalizimin e Sistemit per Menaxhimin e Kufirit (BMS), sistem ky i avancuar dhe kompatibil me sistemin SIS të Shengenit.\"

Padyshim, se realizimi i këtij projekti sipas Rexhepit është një hap i rëndësishëm për vendin tonë drejt liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ai ka falenderuar Komisionin evropian për përkrahjen e vazhdueshme që jep për demokratizimin dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të Kosovës.

“Në këtë frymë është edhe mbështetja që po i ofrohet Ministrisë së Punëve të Brendshme, si në asistencë teknike poashtu në pajisje teknologjike me qëllim të ushtrimit të përgjegjësive për të ndërtuar një vend dhe shoqëri ku sundon ligji, të bazuar në vlerat demokratike dhe institucionale të vendeve të zhvilluara perëndimore”.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)