29 Prill 2024

KDI: Vazhdon politizimi i Agjencive të pavarura

Prishtinë, 11 korrik - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka nxjerrë Raportin mujor nga monitorimi i punës së Kuvendit të Kosovës, për muajin qershor 2011, ku janë evidentuar një varg parregullsish.

Shqetësimet kryesore në bazë të këtij raporti janë: “keqpërdorimi” i votave të deputetëve në Kuvend, vazhdimi i politizimit të Agjencive të pavarura dhe përjashtimi i Kuvendit nga procesi i bisedimeve Kosovë -Serbi.

Shqetësimi i parë, ka të bëjë me rastet e evidentuara ku deputetët e kësaj legjislature kanë filluar të praktikojnë votimin edhe pa qenë fare fizikisht në seancë plenare.

“Për këtë gjithnjë e më tepër po kujdesen kolegët e tyre deputetë të cilët po votojnë edhe për deputetët të cilët nuk janë fare në seancë por i lënë kartelat e tyre në sallën e Kuvendit, për të dëshmuar rrejshëm prezencën e tyre.\"

\"Jo rrallë herë po ndodhë në Kuvendin e Kosovës që të ketë më shumë votues, sesa pjesëmarrës në seancë plenare, madje kryesuesit e seancës në disa raste kanë tërhequr vërejtjen lidhur me këtë problematikë, mirëpo asnjëherë nuk kanë bërë transparente këtë gjë, e aq më pak të kenë ndërmarrë ndonjë masë për të evituar në të ardhmen sjelljet e tilla”, thuhet në raport.

Monitoruesit e KDI kanë vërejtur që vetëm brenda një seance plenare si ajo e 23.06.2011, ka pasur raste kur një deputetë gjatë kohës kur po shqyrtoheshin disa projektligje, ka votuar deri 15 herë për veten dhe kolegen e tij deputete e cila nuk ishte e pranishme fare në sallë.

Prandaj, KDI rekomandon që Kryesia e Kuvendit dhe Nën-komisioni për Rregullore do të duhej ta normonin këtë praktikë për të sanksionuar atë, për deputetët të cilët keqpërdorin votimin në seancë plenare.

Sa i përket shqetësimit të dytë, atij rreth vazhdimit të praktikës së politizimit të Agjencive të Pavarura, KDI konstaton se një dukuri e tillë është vërejtur edhe tek Agjencioni për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si organ i ri.

Qeveria kishte propozuar në pozitën e mbikëqyrësit kryesor shtetërorë Ruzhdi Jashari, ndërsa për mbikëqyrës shtetërorë: Ramadan Qehaja, Mentor Hoxhaj, Bekim Demiri dhe Aleksandar Spasiq.

“Kuvendi i Kosovës me 58 vota për, 19 kundër dhe 2 abstenime e miratoi këtë propozim të qeverisë duke lejuar që kandidati i cili është anëtarë i partisë më të madhe në vend (PDK) të ushtroj një përgjegjësi për të cilën është e domosdoshme që të jetë një personalitet i pavarur dhe të vihet në mbrojtje të interesave të qytetarëve pa dallime politike dhe partiake.

Ruzhdi Jashari për një kohë ka ushtruar funksionin e Kryesuesit të Kuvendit Komunal në Shtime si dhe ka pasur funksione me rëndësi në degën e PDK-së në këtë komunë.

Po ashtu anëtarë i kësaj partie është edhe kandidati tjetër i propozuar Bekim Demiri, ndërsa kandidati tjetër Ramadan Qehaja, ka kohë që sipas legjislacionit të aplikueshëm në Kosovë, ka mbushur moshën e pensionimit”, thuhet po ashtu në raport.

Sipas KDI-së, veprimet e tilla të Kuvendit dhe Qeverisë duke i vendosur në krye të agjencioneve shumë të rëndësishme, njerëzit shumë të afërt me politikën dhe partitë në pushtet, po e dëmtojnë interesin publik dhe statusin e vetë këtyre agjencioneve.

Si vërejtje tjetër, KDI ka theksuar edhe anashkalimin e Kuvendit nga ana e Qeverisë së Kosovës në procesin e bisedimeve Kosovë - Serbi.

“Përveç platformës së shumë përfolur të bisedimeve të cilën asnjëherë nuk e kanë marrë deputetët e Kuvendit të Kosovës me theks të veçantë anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme edhe pse ju ishte premtuar paraprakisht.\"

\"Kuvendi i Kosovës është informuar për këtë proces vetëm nga mediat dhe marrëveshjet e arritura atje nuk janë diskutuar në Komisionin për Punë të Jashtme apo në ndonjë trupë tjetër të Kuvendit. Arsyetimi se çështjet janë të ndjeshme, nuk mund të merret për bazë kur kihet parasysh roli i Kuvendit në një demokraci parlamentare, veçanërisht atëherë kur kjo mund të bëhet edhe në mbledhje të mbyllura për publikun nëse e do nevoja”, thuhet ndër të tjera në raport.

Në raportin mujor po ashtu flitet edhe për dinamikën e punës së Kuvendit të Kosovës, listën e Raporteve të miratuara nga Kuvendi, atë të projektligjeve të miratuara në parim, transparenca e Punës së Kuvendit, parregullsitë që po e përcjellin punën e Kuvendit të Kosovës, si dhe mbikëqyrjen parlamentare ndaj Qeverisë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)