28 Prill 2024

KDI: Të ndryshohet Ligji për Financimin e Subjekteve Politike

Prishtinë, 6 gusht - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) / Transparency International Kosova (TIK) ka organizuar të martën një konferencë për media, ku janë dhënë vlerësime dhe rekomandime konkrete në lidhje me Ligjin për financimin e subjekteve politike, i cili pas 10 muajve të hyrjes në fuqi, i është nënshtruar procesit të ndryshimit dhe plotësimit.

Merita Mustafa, menaxhere në KDI e Programit “Transparenca dhe Anti-korrupsioni”, ka vlerësuar se fatkeqësisht, ky ndryshim i ligjit nuk vjen si pasojë e iniciativave nga ana e Qeverisë apo Parlamentit me qëllim të rritjes së transparencës së financave të subjekteve politike, por vjen si rezultat i kërkesave të Raportit të Progresit nga Komisioni Evropian. “Vërejtja kryesore e Raportit të Progresit ka të bëjë me mos përcaktimin e rregullave në lidhje me donacionet që jepen nga kompanitë private, të cilët për këtë shkak edhe mund të fitojnë punë kontraktuese nga institucionet publike, e cila vërejtje sërish nuk është duke u adresuar”, ka thënë Mustafa.
 
“Sipas KDI/TIK, ligji aktual jo vetëm se është i dobët në përmbajtje, por të njëjtat dispozita si të tilla ende nuk kanë gjetur zbatim nga ana e subjekteve politike, dhe sidomos nga organi mbikëqyrës KQZ-ja. “Deri më tani, KQZ ende nuk ka publikuar raportet financiare për aktivitetet e rregullta vjetore të subjekteve politike për vitet 2009 dhe 2010. Në të  njëjtën kohë, ne nuk kemi vërejtur ndonjë gatishmëri as nga vetë  subjektet  politike për t’i publikuar vullnetarisht raportet e tyre financiare”. 
 
Duke e parë mënyrën se si është duke u proceduar ky ligj, amandametet e propozuara, dhe mos mbajtjen e asnjë dëgjimi publik për këtë çështje, ajo ka thënë se është  qartë se ende  nuk ekziston vullneti politik për të hartuar një ligj të mirë i cili edhe do të ishte funksional.

Ndryshimet e ligjit të cilat janë duke ndodhur tani, Mustafa ka thënë se janë  vetëm kozmetike dhe si të tilla nuk prekin çështjet kryesore të cilat do të mund të eliminonin praktikat e korruptive tek subjektet politike. Për më tepër është e qartë se, organet gjegjëse mundohen që ligji të ketë sa më shumë mangësi dhe mundësi për t’i dhënë hapësirë interpretimeve të shumta.

“Ndërsa, duke lejuar që ky ligj të miratohet ashtu siç është, ne çdo ditë e më tepër do të ballafaqohemi me  parti të cilat do te garojnë  për pushtet ekonomik dhe jo politik”, ka shtuar Mustafa.

Nga ana tjetër, Enis Xhemaili ka prezantuar rekomandimet e KDI/TIK për ndryshimet në këtë legjislacion:

1.    Çështja e donatorëve të cilët marrin tender nga institucionet publike duhet       të rregullohet me ligj si në vijim: kompanive të cilat marrin tender/e nga       institucionet shtetërore të mos u lejohet dhënia e donacioneve cilit do       subjekt politik për një periudhë të caktuar kohore (2-3 vjeçare).

2.    Duhet të përcaktohet qartë formati standard i dorëzimit të raporteve të rregullta financiare të subjekteve politike në KQZ. Më së miri do të ishte që subjektet politike së bashku me raportet financiare të printuara të dorëzojnë edhe një version elektronik të raportit, në mënyrë që informata të caktuara të jenë të qasshme dhe të identifikueshme më lehtë dhe më shpejtë ndër të gjitha subjektet.

3.    Ligji duhet të përcaktojë qartë afatin kohor dhe formatin për publikimin e raporteve të rregullta financiare të subjekteve politike. Ligji gjithashtu duhet të përcaktojë qartë autoritetin i cili duhet të jetë i obliguar të publikojë informacionin, përkatësisht subjektet politike apo/edhe KQZ, kur, dhe në çfarë formati (ueb faqe, gazetë, konferencë për media, etj.).

4.    Ligji për financimin e subjekteve politike ka hyrë në fuqi në nëntor të vitit 2010, por ky nuk është ligji i vetëm që i rregullon çështjet financiare të subjekteve politike. Andaj, KDI/TIK rekomandon që të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me financat e subjekteve politike, duke përfshirë këtu financimin e rregullt, financimin e zgjedhjeve të përgjithshme, lokale, dhe financimin e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, duhet të përfshihen në një ligj të vetëm.

5.    Ligji duhet të sanksionoj penalisht personat përgjegjës, për mos nënshkrimin e raporteve financiare, dhe për gabimet eventuale në raportet e dorëzuara në KQZ.

6.     Duhet të përcaktohen qartë sanksione dhe gjoba për shkelje për  subjektet politike që tejkalojnë limitin e shpenzimeve të përcaktuar me ligj.

7.    Subjektet politike duhet të kenë vetëm një xhirollogari bankare, në përdorim për të gjitha transaksionet duke përfshirë edhe pranimin e donacioneve dhe pagesa të ndryshme. Pra, të gjitha transaksionet të kryhen përmes bankës.

8.    Ligji duhet të parasheh një Rregull për Mediat, për të parandaluar abuzimin e ndikimit të subjekteve në Media edhe për kohërat kur nuk ka fushatë zgjedhore.


Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) / Transparency International Kosova (TIK), pjesë të aktiviteteve ka edhe realizimin e projektit CRINIS i cili ka për qëllim ndriçimin e parave në politikë. Ky projekt është zhvilluar nga organizata me renome botërore kundër korrupsionit Transparency International, duke u realizuar në shumë vende të botës, dhe tani e së fundmi edhe në shtetet e Ballkanit Perëndimor: Kosovë, Shqipëri, Kroaci, Maqedoni, dhe Serbi.

Qëllimi i këtij projekti është të vlerësojë kornizën ligjore dhe zbatimin e ligjeve të cilat rregullojnë financimin e subjekteve politike, e sidomos aspektin e transparencës.


Sqarim: Hulumtimi i realizuar nga KDI-TIK i financave të rregullta (vjetore) të subjekteve politike për vitin 2010 ka përfunduar, dhe komplet do të publikohet në fund të shtatorit. Por, duke i pasur parasysh zhvillimet e fundit në reformën zgjedhore dhe posaçërisht në reformën e financimit politik, përkatësisht ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për financimin e subjekteve politike, kemi parë të arsyeshme që të ndajmë me opinionin e gjerë dhe me ligjbërësit dhe të gjitha grupet e interesit rekomandimet që dalin nga hulumtimi, që kanë të bëjnë me reformën ligjore.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)