29 Prill 2024

KDI: Kuvendi - Regres në Transparencë

Prishtinë, 13 dhjetor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka publikuar raportin mujor nga monitorimi i punës së Kuvendit të Kosovës, për muajin nëntor 2011, ku janë paraqitur disa nga të gjeturat për këtë periudhë.

Fillimisht, përfaqësues të KDI-së kanë thënë se mirëpresin aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me kushtetutshmërinë e disa neneve të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësit e Deputetit, inicimin e të cilës, për të kërkuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, nëpërmjet Avokatit të Popullit, e kishte bërë Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i përkrahur nga 10 organizata të Shoqërisë Civile.

Besnik Ramadanaj nga KDI, në konferencën për media, ka thënë se me këtë rast, institucioni i Avokatit të Popullit dhe Gjykata Kushtetuese kanë vërtetuar dhe rritur besimin ndaj tyre, duke treguar kështu se megjithatë, këto dy institucione me punën e tyre, për dallim prej institucioneve tjera, po vazhdojnë ta luajnë rolin e tyre konform ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.

Përfaqësuesit e KDI-së kanë paraqitur edhe të gjeturat e tjera për muajin nëntor, sa i përket punës së Kuvendit.

Ramadanaj ka shprehur shqetësimin në lidhje me rregulloren e re të Komisionit për Buxhet dhe Financa, e që sipas tij, cenon transparencën e këtij komisioni. “Komisioni për Buxhet dhe Financa, ka hartuar Rregullore të brendshme të Komisionit, për të specifikuar dhe normuar edhe më tutje procedurat e mbarëvajtjes së mbledhjeve të tij. Ajo çfarë është shqetësuese, është fakti se ky komision është ngutur të nxjerr këtë Rregullore, duke u bazuar në Rregulloren e cila aktualisht është në ri shqyrtim dhe sipas të gjitha gjasave do të zëvendësohet nga një Rregullore e re për Kuvendin e Kosovës, e cila do të ketë ndryshime substanciale të procedurave parlamentare”. Sipas tij, Komisioni madje ka shkuar aq larg, sa edhe pjesëmarrjen e publikut në mbledhjet e komisionit e ka komplikuar dhe kufizuar deri në masën sa, për të marrë pjesë në mbledhjet e këtij komisioni duhet të bëhet kërkesë formale, të paktën 24 orë para mbajtjes së mbledhjes. “Si e tillë, kjo dispozitë është diskriminuese dhe në kundërshtim të plotë me praktikat  parlamentare dhe vet Rregulloren e Punës së Kuvendit”, ka thënë ai.

Ndërkohë është njoftuar se KDI ka bërë kërkesë për të monitoruar punën e grupeve punuese gjatë shqyrtimeve buxhetore, kërkesë që është refuzuar. Ky veprim sipas Ramadanajt, mbase krijon dyshime rreth ndarjes së projekteve kapitale.

Një aspekt tjetër shqetësues që është përmendur është edhe raporti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për Ministrinë e Punëve të Brendshme. “Kuvendi i Kosovës, në kuadër të shqyrtimit të raporteve të ZAP-së, për pasqyrat financiare të organizatave buxhetore, ka konstatuar gjendje të rëndë për sa i përket MPB-së dhe Policisë së Kosovës. Opinioni i auditorit për MPB-në, ishte i kundërt përkatësisht i kualifikuar, duke i dhënë kështu notën më të rëndë, kësaj ministrie, e cila në të vërtet ka për mision mbrojtjen e rendit dhe ligjit në vend”, ka thënë Ramadanaj. Sipas tij, Kuvendi në kuadër të përgjegjësive të veta kushtetuese, do të duhej të merrte masa për të siguruar që financat publike, të shfrytëzohen në mënyrë të ndershme, efektive në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe ligjeve të tjera relevante.

Në konferencë është përmendur edhe aktiviteti i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione, i cili duke shqyrtuar peticione raste dhe të cilat vetëm janë në proces në gjykatat e vendit, po cenon pavarësinë dhe integritetin e tyre. Kjo sipas përfaqësuesve të KDI-së është një fakt shumë shqetësues, sepse kemi ndërhyrje të legjislativit në gjyqësor dhe cenon pavarësinë e pushteteve të garantuara me Kushtetutë.

Nga ana tjetër, Natyra Kasumaj nga KDI ka përmendur të gjetura të tjera për muajin nëntor sa i përket punës së Kuvendit të Kosovës. Kasumaj ka folur për rregulloren e re, e cila sipas saj ka filluar procesin e hartimit, nga një nën-komision i posaçëm. “Shqetësues për këtë proces mbetet fakti se sipas Programit të Punës së Kuvendit të Kosovës, procedimi për leximin e parë të kësaj Projekt Rregullore ka qenë dashur të bëhet që në muajin, maj të këtij viti. Me dinamikën e punës në trajtimin e këtyre çështjeve, nën-komisioni nuk po arrin të përfundoj me shqyrtimin e propozimeve, madje problem duket të ketë dal të jetë edhe vet fushë veprimtaria e komisioneve”, ka thënë Kasumaj, ndërkohë ka shtuar se megjithatë duhet vlerësuar se nën- komisioni ka bërë punë të madhe në avancimin e kësaj Rregullore, e cila do të ketë ndikim në rritjen e transparencës së Kuvendit të Kosovës dhe lehtësimin e funksionalitetit të këtij institucioni.

Kasumaj ka përmendur edhe një fakt tjetër shqetësues. Sipas saj, Kuvendi i Kosovës, detyrën primare sipas Kushtetutës, përveç përfaqësimit të qytetarëve, e ka hartimin përkatësisht adoptimin e ligjeve. “Mirëpo raporti i forcave ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit, është i disbalancuar dhe resurset për të iniciuar, hartuar dhe përgatitur projektligjet, janë të koncentruar në ekzekutivin e vendit. Kuvendi i Kosovës, i cili nuk po arrin të krijoj kapacitetet e duhura humane në kuadër të administratës së vet, mbase si pasojë e rekrutimit të stafit në baza politike dhe jo profesionale, krejt punën në këto shqyrtime po e kryen stafi politik, i cili në shumë raste përveç entuziazmit dhe dëshirës nuk i ka njohuritë e duhura për t’i bërë analizat e duhura të efektshmërisë së një projektligji në sistemin ligjorë”, ka thënë ajo. Sipas Kasumajt, me këtë rast, Kuvendi po e luan rolin e lektoruesit të projektligjeve të Qeverisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)