30 Prill 2024

Kadri Veseli zyrtarisht në PDK

Mitrovicë, 2 nëntor - Ish shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli zyrtarisht i është bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës, duke u bërë anëtari më ri i nëndegës së Bairit në komunën e Mitrovicës.

Një pritje solemne i ka rezervuar dega e Mitrovicës ish kreut të SHIK-ut, në të cilën ishin të pranishëm edhe kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, ministrat Bajram Rexhepi e Bedri Hamza e zyrtarë të tjerë qeveritar.


Pasi është pajisur me librezën partiake të PDK-së, ish shefi i Shërbimit Informative të Kosovës, Kadri Veseli tha se është i gatshëm të marrë përgjegjësi dhe të bëjë më shumë për vendin. Ai tha se gjithë jeta e tij ka qenë sfidë, ndërsa inkuadrimin në politikë, ai e vlerësoi si një sfidë të madhe. Veseli tha se gjithnjë ka qenë në shërbim të vendit dhe për këtë ka zgjedhur PDK-në që përmes saj t’i shërbejë vendit. E ndërkohë, ai përcoi një porosi për PDK-në dhe për Kosovën.

Ai tha më tej se Kosova është evropiane dhe duhet të punohet që vërtetë Kosova të bëhet evropiane. Në këtë rast, ai theksoi se Mitrovica asnjëherë nuk do të ndahet.

“E duam toleranën dhe respetin ndëretnik. Por ndarja nuk është jeta jonë dhe ndarjen kurrë s’do ta pranojmë. Mitrovica është një, e bashkuar, qytet i të gjithë njerëzve dhe etnive që jetojnë në tolerancë, dhe Kosova është një, shtet i pavarur dhe sovran”, tha Veseli.

“Dëshiroj t’u jap disa porosi të qarta, duke u thënë juve këtu dhe të gjithëve atje, po, në mund të ndryshojmë dhe kemi shumë gjëra për të ndryshuar. Një njeri i vetëm nuk mund ta ndryshojë botën, por mund të bëjë dallimin çfarë është e mirë e çfarë e keqja. Mund t’i bëjmë njerëzit të lëvizin dhe të marrin përgjegjësi për vendin e tyre dhe të gjithë bashkë, mund të bëjmë më shumë”, tha Veseli.


Angazhimin e Veselit në politikë si anëtar i PDK-së e kanë mirëpritur strukturat udhëheqëse të PDK-së. Nënkryetari Bajrami Rexhepi tha se Veseli nuk bazohet vetëm në kreditin e fituar me kontributin e dhënë gjatë luftës, por e ka edhe kapacitetin intelektual.

“Mendoj se ky është shembull i mirë që ai ta ngreh këmbën zhag që thonë në popull dhe sigurisht se PDK-ja jo që do të tkurret, por do të zgjerohet dhe do të forcohet edhe më shumë”, tha Rexhepi.

Ndërsa kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati ka shprehur besimin e fuqishëm se me inkuadrimin e Veselit do të ndodhin reformat ë cilat do të kenë efekt në gjithë Kosovën.

Kadri Veseli i njohur si “Luli” ishte shef i Shërbimit Informativ të Kosovës deri pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, kur publikisht e shpallit të mbyllur misionin e këtij shërbimi, për t’i hapë rrugë krijimit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.