15 Maj 2024

Kacin: Serbia të ndalojë së ngufaturi veten dhe fqinjët

Bruksel, 26 gusht - Bashkimi Evropian kërkon nga Serbia që të jetë shtet dhe të sillet në mënyrë të drejtë ndaj qytetarëve të saj, ka thënë raportuesi i Parlamentit Evropian për shtetin serb, Jelko Kacin.

“Evropa kërkon nga Serbia që të ndalojë së ngufaturi veten dhe fqinjët, të ndalojë së ëndërruari ëndrrat e së kaluarës, si dhe të jetojë të ardhmen”, ka thënë Kacin, transmetojnë mediat serbe.

Duke folur për bisedimet Beograd-Prishtinë, ai ka thënë se bëhet fjalë për dy partnerë dhe se duhet të krijohet një klimë më e mirë, për të biseduar për gjëra më të mira.

“Ka ardhur koha që rajoni të lirohet nga e kaluara dhe të punohet për një të ardhme më të mirë të të gjitha shteteve të rajonit”, ka thënë Kacin.

Bisedimet teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë prodhuar shtatë marrëveshje, por zbatimi i tyre ka ngecur.

Aktualisht, janë shtuar zërat për nisjen e një dialogu politik ndërmjet dy vendeve.

Në lidhje me marrjen e datës për negociata në mes të Serbisë dhe Bashkimit Evropian, Kacin ka thënë se BE-ja do të përcjellë me vëmendje sjelljen e qeverisë së tanishme.

“Brenda dy javësh do të vijë delegacioni zyrtar i BE-së në Serbi. Në mënyrë të vazhdueshme, ai do të përcjellë përparimin e Serbisë. Puna duhet të nisë nga diku dhe më pastaj është gjithçka e lehtë”, është shprehur Kacin.

Ai nuk i është përgjigjur pyetjes se sa janë reale pritjet që Serbia të nisë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fund të vitit 2013.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)