08 Maj 2024

Japonia do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën

Prishtinë, 13 tetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ambasadorin e Japonisë, jorezident për Kosovën, Shigeo Iwatani.

Ambasadori Iwatani shprehu konsideratën e tij për punën e Presidentes Jahjaga në prezantimin e vendit dhe vlerësoi të arriturat e deritashme të Kosovës. Ambasadori Iwatani shprehu mirënjohjen e tij dhe të vendit të tij për mbështetjen që Kosova i ka dhënë Japonisë në periudhën e tragjedisë, pas tërmetit dhe cunamit që goditi këtë vend në mars të këtij viti.

Ai tha se Kosova është një vend i rëndësishëm në rajon dhe theksoi se stabiliteti i vendit ka një rëndësi të madhe për gjithë Ballkanin Perëndimor.

Ambasadori japonez tha se vendi i tij e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në fusha të ndryshme dhe vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik të Kosovës, edhe përmes promovimit të investimeve japoneze.

Ai tha se është me rëndësi që të promovohet miqësia mes dy vendeve dhe theksoi se Presidentja Jahjaga është e mirëpritur për të vizituar Japoninë me qëllim të forcimit të marrëdhënieve mes Japonisë dhe Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e falënderoi ambasadorin Iwatani për ndihmën që Japonia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës dhe vlerësoi bashkëpunimin jo vetëm në fushën politike por edhe në atë ekonomike dhe kulturore.

Ajo tha se është e inkurajuar që Japonia po i tejkalon vështirësitë dhe pasojat që la tërmeti i rëndë në këtë vend, i cili mori jetët e shumë njerëzve dhe shkatërroi pasurinë e qytetarëve.

Ajo tha se miqësia ndërmjet Kosovës dhe Japonisë është e palëkundur dhe theksoi se thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve posaçërisht në fushën e ekonomisë është i një rëndësie të madhe.

Presidentja Jahjaga tha se pavarësia e Kosovës është dëshmuar të jetë faktor stabiliteti në rajon dhe theksoi se synim dhe qëllim i Kosovës është anëtarësimi në strukturat euro-atlantike, në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare e rajonale.

Ajo tha se Kosova ka nevojë për njohje të mëtejme të pavarësisë së saj, posaçërisht në kontinentin e Azisë dhe vlerësoi angazhimin e Japonisë në këtë fushë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)