06 Maj 2024

Jahjaga: Të gjithë duhet ta luftojmë korrupsionin

Prishtinë, 21 dhjetor - Udhëheqës të institucioneve të vendit, thanë sot se lufta kundër korrupsionit kërkon angazhim serioz nga të gjitha institucionet. Në takimin e fundit për këtë vit të Këshillit Kombëtarë Kundër Korrupsionit, i drejtuar nga presidentja Atifete Jahjaga u bë thirrje për zbatim të ligjit dhe luftim i korrupsionit, duke filluar brenda vetvetes. 

Lufta kundër korrupsionit nuk është luftë e institucioneve të Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë, por edhe angazhim i gjithë shoqërisë. Kështu deklaroi presidentja Atifete Jahjaga në hapje të takimit të fundit për këtë vit të Këshillit Kombëtarë Kundër Korrupsionit.

“Kjo luftë duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe transparente”, ka thënë ajo.

Sipas saj lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm luftë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë por edhe angazhim i gjithë shoqërisë sonë dhe synon vendosjen e plote të parimit të rendit dhe sundimit të ligjit, bazuar në ndërtimin e shtetit të së drejtës.

"Një shoqëri me shkallë të lartë të korrupsionit, real apo të perceptuar, veçanërisht me dukuritë e korrupsionit në institucione, reflekton imazh të keq brenda shtetit por edhe në skenën ndërkombëtare. Ky reflektim negativ mund të ndryshohet vetëm duke pasur rezultate konkrete e të prekshme në luftën kundër korrupsionit.
 
Një angazhim dhe përkushtim gjatë këtij viti nuk mungoi edhe pse askush nga ne nuk është i kënaqur sepse kemi ende shumë punë për të bërë. Gjithsesi është për t’u vlerësuar se në saje të angazhimit tonë, rezultatet pozitive të kësaj pune u shprehën në të gjeturat e disa raporteve ndërkombëtare që Republikën e Kosovës e vlerësojnë më mirë për luftën kundër korrupsionit", ka pohuar ajo.

Duke shtuar se në takimet tona janë theksuar dhe evidentuar disa mangësi në legjislacion dhe funksionimin administrativ. Këto përmirësime janë bërë duke ndryshuar dhe përshtatur rregullat dhe procedurat për bashkërendim më të mirë. Të gjitha institucionet kanë bërë ndryshime pozitive në sferën legjislative dhe organizmin e administratës që reflektohen në bashkëpunim më të mirë.
 
"Këto janë sukseset e para, por ato nuk janë të mjaftueshme, duhet të luftojmë këtë dukuri më vendosmërisht, duke krijuar një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja. Është obligim ligjor dhe moral i yni të bëjmë Kosovën vend të prosperueshëm, të rendit dhe sundimit të ligjit", ka pohuar ajo.
 
Do të intensifikojmë edhe më tej bashkërendimin tonë, jo vetëm në kuadër të Këshillit por edhe drejtpërdrejt ndërmjet vete. Për funksionimin e sistemit tonë demokratik duhet të garantohet integriteti i institucioneve që mundëson funksionimin tonë si tërësi unike.

"Përmirësimi i imazhit të Kosovës ndihmon në ecjen tonë përpara. Se vetëm kështu ne mund garantojmë progres ekonomik dhe mirëqenie sociale. Investitorët e huaj janë të interesuar të punojnë në një shoqëri funksionale ku investimet e tyre mbrohen nga institucionet dhe klima biznesore është e sigurt.
 
Ne e kemi përmirësuar legjislacionin dhe punën e administratës, por ka ende për t’u bërë. Janë disa ligje specifike të cilat duhet të amendamentohen në bazë të standardeve të Bashkimit Evropian. Gjithashtu duhet të rrisim efikasitetin tonë në implementimin e ligjeve ekzistuese. Vullneti politik ekziston por është përgjegjësi e të gjithëve që këtë vullnet ta kthejmë në rezultate konkrete", ka pohaur ajo.

Ndërsa, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup krasniqi tha se lufta e pamjaftueshme kundër krimit e korrupsionit e gërryen perspektivën tonë.

Edhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi kërkoi seriozitet në luftën e korrupsionit, edhe pse tha se në Kosovë janë shënuar rezultatet të prekshme.

Ndërsa, Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha se gjatë këtij viti, për vepra penale, 240 raste janë nën hetime, janë ngritur 529 kallëzime penale, 656 persona të dyshuar, 178 persona të arrestuar. Rexhepi tha se korrupsioni duhet të luftohet duke filluar nga vet institucionet

Edhe përfaqësuesi i EULEX-i, Andy Sparks tha se EULEX-i është këtu që të ndihmojë institucionet e Kosovës në shumë çështje, me theks të veçantë edhe në luftën kundër dukurive negative siç është korrupsioni.

Ndërsa Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi,  para të pranishmëve të këtij takimi,  tha se si Ministër i Drejtësisë dhe si Zëvendëskryeministër për Rend dhe Ligj besoj fuqishëm që themelet e luftës kundër korrupsionit janë pikërisht ligjet e mirëfillta dhe pikërisht në këtë drejtim jam përpjekur që ta drejtoj Ministrinë e Drejtësisë, e cila e mbanë rolin kyç në krijimin e bazës ligjore kundër korrupsionit.

Ministria e Drejtësisë, këtë vit sipas tij ka hartuar një pako jo të vogël të ligjeve të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë do të kontribuojnë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. (Kodi i ri Penal, Kodi i ri i Procedurës Penale, Ligji për mbrojtjen e Dëshmitarëve, Ligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale, Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, Ligji për mbrojtjen e informatorëve, Ligji për përgjegjësin penale të personave juridik dhe Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar me Vepër Penale).

Në këtë kuptim miratimi i Kodit i ri Penal, Kodit i ri të Procedurës Penale dhe Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar me Vepër Penale, kanë shënuar hapat më të rëndësishëm në fushën legjislative kundër korrupsionit për vitin që po e lëmë pas.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)