05 Maj 2024

Jahjaga: Periudhat e hegjemonisë në Ballkan kanë përfunduar

Prishtinë, 8 dhjetor - Presidentja e Repulikës së  Kosovës, Atifete Jahjaga në fjalimin vjetor para deputetëve të Kuvendit i bëri thirrje udhëheqësve të Serbisë që të heqin dorë nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës, dhe po ashtu të heqin dorë nga përkrahja e strukturave kriminale në veri të Kosovës.

Jahjaga ia bëri të qartë Serbisë se periudhat e hegjemonisë në Ballkan kanë përfunduar, ndërsa shteti i Kosovës është i vendosur për ligj në veri të Kosovës. Sipas saj, zbatimi i planit të Ahtisaarit nuk ka alternativ tjetër dhe ai nuk mund të modifikohet.

Dialogu me Republikën e Serbisë sipas saj paraqet rrugën e vetme dhe mënyrën më të mirë për të normalizuar marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane.

"Fqinjësia e mirë është një prej kushteve themelore për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe përkrahja për dialogun është bërë mbi parimin se zgjidhjet që dalin nga ai duhet të jenë zgjidhje evropiane."

Duke përshëndetur fillimin e heqjes së barrikadave, presidentja Jahjaga iu drejtua qytetarëve serb të Kosovës, duke thënë se kanë të drejta të barabarta, bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe se Kosova është atdhe i të gjithëve.

Ajo paralajmëroi se në javët në vijim do të vizitojë vendbanimet në Kosovë dhe komunat e krijuar me decentralizim.

Presidentja e Kosovës, më tej vlerësoi se vendi ndodhet në një moment të tillë që kërkon angazhim të të gjithëve, veprim, pasi nuk ka më kohë për të humbur.

Ajo theksoi se qartësimi i rrugës evropiane është i domosdoshëm, është interes jo vetëm i Kosovës, por edhe i rajonit dhe BE-së. “Ne nuk shohim rrugë tjetër, përveç asaj evropiane”, tha ndër të tjera Jahjaga.

Duke folur për dialogun me Serbinë, ajo tha se paraqet rrugën e vetme dhe mënyrën më të mirë për t`i normalizuar marrëdhëniet si dy shtete të pavarura e sovrane.

Ajo vlerësoi se nuk duhet shmangur dialogut, por sipas saj dialogu transparent dhe llogaridhënia para qytetarëve do të jetë garant i suksesit të këtij procesi dhe secila marrëveshje e arritur ndërmjet dy shteteve duhet të garantohet fuqishëm nga BE.

Në fjalimin e saj, presidentja Jahjaga potencoi se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, integriteti territorial është i paprekshëm dhe për këtë tha ekziston mbështetja e fuqishme ndërkombëtare.

Ajo tha se vendi është i bashkuar për veprim kur është në pyetje forcimi i shtetit edhe pse rruga sipas saj nuk është e lehtë.

Duke iu drejtuar qytetarëve të vendit, presidentja tha se kanë pritur për mundësi të zhvillimit ekonomik, për të zënë vend në mesin e kombeve të lira, për arsim bashkëkohor etj.

Presidentja në fjalimin para deputetëve të Kosovës përmendi edhe një mori çështjesh, si atë të imazhit të vendit, problemit të korrupsionit e krimit të organizuar, domosdoshmërisë për reforma ekonomike, politike e shoqërore, etj.

Pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, me kërkesën e institucioneve tona, është vendosur misioni evropian për drejtësi dhe polici, EULEX, i cili së bashku me organet përkatëse të Kosovës po jep kontribut në luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, në shqyrtimin e rasteve specifike si dhe për vendosjen e sundimit të ligjit, në gjithë territorin e shtetit të Kosovës.

Në muajt në vijim, Zyra Civile Ndërkombëtare do ta përfundojë misionin e saj të mbikëqyrjes së zbatimit të Planit Ahtisaari dhe ky shënon një sukses të përbashkët.

Kosova sipas Jahjages edhe në të ardhmen do të ketë një prani të kufizuar ndërkombëtare, veçanërisht  ushtarake, për ngritjen e plotë të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila po ndërtohet në përputhje me standardet e NATO-s dhe me synim pjesëmarrjen në Partneritet për Paqe, deri në anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike.

"Duhet që të përmbushim plotësisht objektivin  për pavarësi dhe sovranitet, të sigurojmë vendin në familjen e kombeve, që të trajtohemi si një partner i barabartë në Evropë dhe gjithandej në botë. Këtë do ta arrijmë në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në partneritet me vendet e Bashkimit Evropian", ka theksuar ajo me tutje.

Në takimet në Bruksel, me udhëheqësit e institucioneve të Bashkimit Evropian, ashtu si edhe të gjithë përfaqësuesit e tjerë të Kosovës, ajo ka thënë se si Presidente e vendit kam kërkuar avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe BE-së në nivel kontraktual. Ky qartësim i rrugës evropiane të Kosovës është i domosdoshëm, jo vetëm në interes të Kosovës, por edhe të gjithë rajonit dhe të vet Bashkimit Evropian.

"Në Bruksel e ritheksova se ngecja në ndërtimin e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës e pengon rrugëtimin tonë të përbashkët dhe i rrezikon të arriturat tona. E mirëpres faktin se kësaj porosie i është kushtuar një vëmendje e posaçme dhe Bashkimi Evropian ka vendosur të veprojë në përputhje me interesat e përbashkëta."

Sa më shpejtë që të arrijmë marrëveshje tregtare me BE-në, sipas saj do ta ndihmojmë zhvillimin ekonomik të vendit, do të forcojmë investimet e huaja, do të krijojmë perspektivë për biznesin kosovar dhe do të hapim vende të reja të punës.

Jahjaga ka thënë se në Bruksel ka kërkuar nisjen e dialogut për liberalizim të vizave, që Kosova të gëzojë lirinë e lëvizjes për qytetarët e saj, si të gjithë qytetarët e Evropës.

"Këtë kërkesë kam mundur ta bëj pasi që janë plotësuar kushtet dhe kriteret teknike për marrjen e udhërrëfyesit. Liberalizimi i vizave, përveç që nënkupton lëvizje të lirë, përfshin edhe një numër obligimesh dhe përgjegjësish të të gjithë neve, qytetarë të Republikës së Kosovës", është shprehur ajo.

Në janar të vitit 2012 do të mbaj takimin e parë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, forum ky pranë Presidentes, që synon ndërtimin e konsensusit shoqëror dhe koordinimin për procesin e integrimit evropian të vendit. 

Së bashku ka theksuar ajo  do të përshpejtojmë zbatimin e reformave që rrjedhin nga Partneriteti Evropian që krahas të arriturave ka evidentuar një numër sfidash që duhet adresuar konkretisht.

"Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, e ka perspektivën e qartë evropiane. Ne nuk shohim rrugë tjetër. Ky përkushtim është dëshmuar në të gjitha proceset e deritashme, duke e përfshirë edhe dialogun me Republikën e Serbisë, që po zhvillohet me lehtësimin dhe ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian", ka pohuar Jahjaga.

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)