07 Maj 2024

Jahjaga e Thaçi dënuan sulmin mbi pjesëtarët e KFOR-it

Prishtinë, 24 nëntor - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e dënon sulmin që e bëri mbrëmë një grup i qytetarëve, të nxitur dhe të mbështetur nga strukturat kriminale, mbi pjesëtarët e KFOR-it në fshatin Rudarë të komunës së Zveçanit.

Presidentja e Republikës së Kosovës konsideron se aktet e tilla të dhunës janë të patolerueshme dhe nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit. Këto akte do të marrin përgjigje ligjore sepse askush nuk mund të bllokojë dhe të pengojë lëvizjen e lirë të qytetarëve, një vlerë kjo e demokracisë. 

Sulmi ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, që kanë ardhur me mision paqësor në Republikën e Kosovës, është një akt i shëmtuar që gjykohet nga të gjithë qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës. 

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, pati sot një bisedë telefonike me komandantin e KFOR-it në Kosovë, gjeneralin Erhard Drews, të cilit i shprehu brengosjen e saj për incidentin e ndodhur mbrëmë dhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it, me ç’rast u lënduan 21 pjesëtarë të forcës paqeruajtëse në Kosovë.

Presidentja e vendit i shprehu gjeneralit Drews konsideratat më të larta të saj dhe të popullit të Kosovës për misionin human dhe të përgjegjshëm të KFOR-it në Kosovë për sundim të ligjit dhe parandalim të akteve të dhunës dhe për krijimin e kushteve për lëvizje të lirë të të gjithë qytetarëve dhe të mallrave në gjithë territorin e Kosovës.

Presidentja Jahjaga i përcolli gjeneralit Drews dëshirën për shërimin më të shpejtë të ushtarëve të lënduar me kërkesën që kjo t’u përcillet ushtarëve dhe familjeve të tyre.

Populli i Kosovës e çmon lart angazhimin e KFOR-it dhe ka respekt për ushtarët që shërbejnë në funksion të stabilitetit dhe të paqes.

Presidentja e Kosovës i ofroi gjeneralit Drews gjithë përkrahjen dhe ndihmën e nevojshme të institucioneve dhe të qytetarëve të Kosovës për ushtarët e KFOR-it.  


Edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dënon dhunën e ushtruar mbrëmë ndaj ushtarëve paqeruajtës të KFOR-it nga ana e strukturave kriminale në pjesën veriore të Kosovës. Në tekstin e deklaratës thuhet:

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër dhunën të strukturave paralele serbe të ushtruar ndaj ushtarëve të KFORI-t, me ç’rast janë lënduar rreth 20 ushtarë të KFOR-it.

Qeveria e është e vendosur dhe përkrah vendosjen e plotë të sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e vendit.

Të githë ato struktura kriminale në veri, që pengojnë lirinë e lëvizjes dhe konfrontohen me institucionet e Kosovës dhe me trupat paqëruajtëse të NATO-s, shumë shpejt do të dalin para drejtësisë dhe do të marrin dënimin e merituar.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë me përkushtim të lartë jetësimin e plotë të vizionit të saj për hapjen e perspektivës së zhvillimit ekonomik, si dhe për zhvillimin e procesit demokratik zgjedhor edhe në pjesën veriore të Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)