04 Maj 2024

Jahjaga dhe Dell nënshkruanë Memorandum Mirëkuptimi

Prishtinë, 21 nëntor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Christopher Dell, nënshkruan sot një Memorandum të Mirëkuptimit, për ndihmë të gjithanshme të SHBA-së për Kosovën.

Pas ceremonisë së nënshkrimit të Memorandumit, Presidentja Jahjaga e ka falënderuar Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihmën e vazhdueshme që po i jep Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit, në zhvillimin ekonomik, në përmirësimin e klimës së biznesit, për krijimin e vendeve të punës, për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe për përkrahjen e proceseve integruese rajonale dhe evropiane.

Këto sipas saj janë njëkohësisht prioritetet e institucioneve të Kosovës për një zhvillim të gjithëmbarshëm dhe të qëndrueshëm.

"Jemi të interesuar që në të gjitha këto fusha, për të cilat e kemi edhe ndihmën dhe përkrahjen e qeverisë së SHBA-ve, të bëjmë reformat dhe transformimet e nevojshme me të cilat i plotësojmë standardet që na mundësojnë të kemi institucione të përgjegjshme, demokratike dhe efektive."

Kjo sipas Jahjages e përshpejton rrugëtimin drejt arritjes së qëllimeve tona strategjike për anëtarësim në Bashkim Evropian, në NATO, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në të gjitha organizatat e mekanizmat tjerë ndërkombëtar.

"Ne e vlerësojmë shumë ndihmën nga populli dhe qeveria e SHBA-ve që për këto 12 vjet nëpërmjet USAID i ka dhënë 1.2 miliardë dollarë në Kosovë në projekte të ndryshme të rindërtimit, të zhvillimit ekonomik, të nxitjes dhe forcimit të proceseve demokratike në vend, së bashku me ndihmat në fushat e tjera", ka theksuar Jahjaga.

Ajo ka thënë së vendi dhe populli i Kosovës është dhe do të jetë gjithmonë falënderues për ndihmën që populli amerikan e dha për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, për ndihmën e vazhdueshme në të gjitha lëmitë, në avancimin e proceseve demokratike dhe në forcimin e institucioneve.

Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një miqësi të përjetshme që është garanci e stabilitetit dhe e paqes në rajon.

Ky është shembull i një partneriteti të mirëfilltë, që bazohet në vlera të demokracisë amerikane, që respektojnë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe që sigurojnë një zhvillim të proceseve demokratike me pushtete të ndara, me kontroll parlamentar të qeverisjes, pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e shtypit.

Ndihma e qeverisë së SHBA-së për realizimin e këtyre synimeve është e mirëpritur nga unë, nga institucionet e Kosovës dhe nga të gjithë qytetarët, tha Presidentja Jahjaga.

Ambasadori Dell ka bërë të ditur se Memorandumi i Mirëkuptimit përvijon përkushtimin e Qeverisë së SHBA-ve për të ndihmuar institucionet e Kosovës të kryejnë reformat që do të shtyejnë përpara zhvillimin ekonomik të vendit.

Kjo sipas tij përfshinë përmirësimet e menaxhimit dhe kapaciteteve teknike në administratën tatimore, promovimin e partnershipeve publiko-private për të financuar infrastrukturën publike, zhvillimin e një kornize ligjore dhe rregullatore për të përparuar një sektor privat konkurrues dhe të diversifikuar, dhe zhvillimin e një fuqie punëtore produktive e të trajnuar mirë e cila i përgigjet kërkesave të sektorit privat.

Këto qëllime do të përmbushen në partneritet mes Agjencisë së SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Ministrive të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe agjencive relevante.

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)