12 Maj 2024

Institucionet e Kosovës dënuan sulmin ndaj KFOR-it në Bërnjak

Prishtinë, 19 qershor - Presidentja Atifete Jahjaga dhe Qeveria e Republikës së Kosovës dënuan ashpër sulmin me granate dore ndaj KFOR-it, që ndodhi sot në mëngjes në vendkalimin kufitar në Bërnjak, si pasojë e të cilit u lëndua një ushtar i KFOR-it.

Ky sulm i radhës mbi forcat paqëruajtëse të KFOR-it që bëhet nga strukturat kriminale në veriun e Kosovës, është i dënueshëm nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës i jep mbështetje të plotë KFOR-it në përmbushjen e misionit të vet për sigurimin e lëvizjes së lirë edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës.

Edhe njëherë, Qeveria e Republikës së Kosovës fton gjithë qytetarët serbë të Kosovës që të jenë pjesë e institucioneve demokratike kushtetuese të Republikës së Kosovës, si dhe të bashkëpunojnë me KFOR-in.

Largimi i barrikadave nga KFOR-i dhe hapja e rrugëve për të siguruar lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave në gjithë pjesën veriore të Kosovës është në funksion të hapjes së perspektivës së zhvillimit ekonomik dhe të krijimit të sigurisë së plotë për gjithë qytetarët.

Edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Zonja Atifete Jahjaga dënon sulmin ndaj trupave paqeruajtëse të NATO-s, në afërsi të fshatit Bërnjak, komuna e Zubin Potokut, me ç’rast u lëndua një ushtar i kësaj force.

Presidentja Jahjaga vlerëson se sulmi ndaj paqeruajtësve të KFOR-it është i papranueshëm dhe i patolerueshëm dhe në kundërshtim të plotë me misionin e forcës paqeruajtëse për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë, për të gjithë qytetarët e saj.

Presidentja Jahjaga thekson se ky sulm është edhe një përpjekje e strukturave ilegale dhe kriminale serbe, që veprojnë në tri komunat në veri të vendit, për të penguar vendosjen e rendit dhe ligjit dhe për të penguar qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës mbështet fuqishëm aksionin e forcave paqeruajtëse të NATO-s për heqjen e barrikadave, zhbllokimin e rrugëve dhe vendosjen e rendit dhe ligjit në mënyrë që qytetarët e komunave në veri të territorit të Kosovës të gëzojnë të drejtat e tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)