13 Maj 2024

Ilazi: Do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve

Prishtinë, 19 qershor - Kryetari i sapozgjedhur i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka premtuar se do të shpërblejë me punë dhe përkushtim besimin e qytetarëve të marrë në zgjedhjet e së dielës. Në këtë intervistë për “Epokën e re” Ilazi ka thënë se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve, pa bindje partiake.

“Do të jem në shërbim të të gjithëve. Do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve, pa bërë ndonjë dallim për asnjë. Do t’i ndaj me të gjithë qytetarët njësoj shqetësimet dhe kërkesat e tyre. Të gjitha vështirësitë që i ka komuna jonë do t’i tejkalojmë suksesshëm në partneritet me qytetarët”, ka premtuar Ilazi. Ai ka thënë se kaçanikasit nuk do të pendohen që kanë votuar PDK-në, pasi vota e tyre është për qeverisje të mirë, transparencë dhe llogaridhënie.

“Epoka e re”: Zoti Ilazi, keni marrë besimin e qytetarëve për ta udhëhequr Kaçanikun, si e vlerësoni procesin zgjedhor të së dielës?

Ilazi: Ishte një garë fer, e ndershme dhe demokratike. Të gjithë kandidatët kanë kontribuar që të kemi një proces të lirë dhe demokratik. E diela zgjedhore ka qenë një ditë e qetë, pa incidente dhe pa probleme. Mendoj se qytetarët kanë pasur të drejtë të votojnë aty ku kanë dashur dhe një gjë të tillë edhe e kanë bërë. Edhe kundërkandidatët e mi kanë qenë fer në këtë garë, prandaj edhe zgjedhjet kanë kaluar në një klimë mjaft të qetë.

“Epoka e re”: Megjithatë, Vetëvendosja dhe AAK-ja e kanë akuzuar PDK-në për tendenca për manipulim të votave.

Ilazi: Të drejtën e votës e kanë pasur të gjithë qytetarët, edhe ata që kanë qenë të angazhuar në procesin zgjedhor, por edhe qytetarët e tjerë. Kam dëgjuar për ato akuza, por një gjë e tillë nuk qëndron, sepse PDK-ja dhe unë s’kemi nevojë për të manipuluar me vota të qytetarëve, pasi vazhdojmë ta kemi besimin e tyre si në nivel komunash, ashtu edhe në tërë Republikën e Kosovës. Qytetarët kanë votuar për të preferuarit e tyre dhe në zgjedhjet e së dielës qytetarët e Kaçanikut dëshmuan se vazhdojnë ta preferojnë PDK-në dhe Besim Ilazin.

“Epoka e re”: Pse ju kanë votuar qytetarët?

Ilazi: Këtë herë qytetarët kanë votuar më shumë se çdoherë tjetër. Këtë e them me përgjegjësi të plotë. Që nga paslufta në komunën e Kaçanikut çdoherë PDK-ja ka dalë fituese, mirëpo të dielën PDK-ja, përveçse ka fituar zgjedhjet, e ka ngritur përqindjen në këtë komunë. Qytetarët më kanë votuar për disa arsye: fillimisht për shkak të vlerave të mia dhe të familjes sime, e cila ka kontribuar në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar komuna dhe vendi ynë në përgjithësi. Po ashtu, vota kam marr edhe falë mbështetjes së liderit Hashim Thaçi, përkrahjes së zyrtarëve të tjerë të larë të PDK-së dhe të gjitha strukturave të partisë. Mirëpo, një rol të rëndësishëm e kanë luajtur vlerat e mia intelektuale, politike e morale. Ndoshta kjo ka qenë edhe një arsye shtesë që të marr vota edhe nga elektorati i partive të tjera.

“Epoka e re”: Si do t’ua shpërbleni këtë besim qytetarëve?

Ilazi: Do të jem në shërbim të qytetarëve. Do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve pa bindje partiake. Do t’i ndaj me të gjithë qytetarët njësoj shqetësimet dhe kërkesat e tyre. Të gjitha vështirësitë që i ka komuna jonë do t’i tejkalojmë suksesshëm në partneritet me qytetarët. Qytetarët e Komunës së Kaçanikut kanë pasur arsye për ta votuar PDK-në, sepse PDK-ja është partia që e ka ndryshuar Kaçanikun dhe qytetarët janë të kënaqur me ndryshimet pozitive që janë bërë. Kaçanikasit për më shumë se një dekadë janë duke bashkëjetuar me të mirat që i ka bërë PDK-ja në këtë komunë. Qytetarët të dielën kanë votuar për bashkëpunim, bashkëqeverisje, transparencë, llogaridhënie si dhe për qeverisje të mirë.
 
“Epoka e re”: Cili do të jetë projekti i parë të cilin do ta realizoni?

Ilazi: Edhe pse nuk kemi një mandat të plotë, por jemi pothuajse në fund të mandatit dhe projektet janë të planifikuara, unë do të mundohem që të gjitha këto projekte t’i realizojmë dhe t’i mbarojmë në mënyrë të suksesshme dhe korrekte. Kemi punuar shumë për të mirën e qytetarëve dhe do të vazhdojmë edhe më tutje të jemi në shërbim të tyre. Asnjëherë nuk do t’i zhgënjej qytetarët e Komunës së Kaçanikut, sepse do të punoj për ta dhe për të mirën e tyre. Besoj shumë se angazhimi dhe puna ime do të mbesin shumë gjatë në mendjen e qytetarëve kaçanikas, sikurse do të mbetet i përhershëm besimi i tyre për PDK-në. Falë punës dhe përkushtimit tim dhe të partisë time, qytetarët nuk do të pendohen që kanë votuar PDK-në dhe Besim Ilazin për kryetar të Komunës së Kaçanikut.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)