29 Mars 2024

IKD prezanton përfshirjen e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në vendimmarrje

Prishtinë, 15 dhjetor - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), përkrahur nga Këshilli Danez për Refugjatë, Misioni në Kosovë (DRC), financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të përfaqësuar nga Ambasada e Suedisë në Kosovë (Sida), të enjten, në një tryezë të rrumbullakët, ka publikuar raportin e titulluar “Përfshirja e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në vendimmarrje".

Hulumtuesja e IKD-së, Medina Kadriu, në hapje të tryezës, ka treguar për qëllimin e hulumtimit të raportit, i cili ka qenë përmirësimi i pjesëmarrjes së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në vendimmarrje përmes ngritjes së kapaciteteve të këtyre komuniteteve dhe përmes takimeve të hapura me qytetarë, në shtatë rajonet kryesore të Kosovës, për të bërë një analizë të nevojave të tyre në raport me ligjbërjen dhe politikbërjen. 

Kadriu ka thënë se pjesëmarrja e qytetarëve në procesin e politikëbërjes dhe në bërjen e ligjit vazhdon të jetë e ulët në nivel kombëtar. Sipas saj, këtë e dëshmojnë vazhdimisht raporte të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, si dhe statistikat e raporteve vjetore për konsultimin publik.

“Kjo pjesëmarrje e ulët, ndikon që ligjet dhe politikat në vend të mos marrin parasysh nevojat reale të qytetarëve të vendit, aq më pak ato të grupeve të margjinalizuara, ku pjesëmarrja është edhe më e ulët, në këtë rast të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian”, ka thënë Kadriu.

Tutje, ajo ka shtuar  se raporti do të shërbejë edhe për institucionet qendrore dhe lokale, me qëllimin që gjetjet t’i marrin parasysh dhe të nisin së zbatuari në përpikëri obligimet që dalin nga Rregullorja për Standardet Minimale në Procesin e Konsultimeve Publike.

Në anën tjetër, hulumtuesi i IKD-së Naim Jakaj, ka prezantuar gjetjet dhe rekomandimet e dalura nga ky raport.

Sipas tij, gjetjet e raportit tregojnë që regjistrimi civil i qytetarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, mbetet njëri ndër problemet esenciale, “Ata nuk kanë dokumentacion të nevojshëm personal, gjë që ua pamundëson marrjen e ndihmave sociale, për çka ata i plotësojnë kushtet e tjera”, ka deklaruar ai.

Sipas Jakaj, komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian vazhdojnë të përballen me pamundësinë e regjistrimit të pronave në emër të tyre, përkundër faktit që ato u takojnë gjeneratë pas gjenerate.

Tutje, ai ka thënë se ka pasur ankesa në lidhje me procedimin e rasteve të tyre, kur ato raportohen në polici, prokurori, pasi të njëjtat uk gjejnë trajtimin e duhur, por edhe kur trajtohen, përgjigja u kthehet me vonesë.

Jakaj ka deklaruar se qasja në institucionet e drejtësisë vazhdon të mbetet problematike, ngase trajtimi i pjesëtarëve të këtij komuniteti, sipas tyre vazhdon të jetë i ndryshëm nga palët e tjera.

Sipas tij, problematikë e theksuar në raport me qasjen në drejtësi vazhdon të jetë vonesa në zgjidhjen e lëndëve, veçanërisht tek nënat vetushqyese, të cilat pa vendim të gjykatës për besim të fëmijëve, nuk arrijnë ta rregullojnë çështjen e ndihmës sociale.

Më tutje, Jakaj ka thënë se gjetjet tregojnë për nivel të ulët të punësimit dhe se kuotimi për punësim vazhdon të mosrespektohet nga organet publike lokale dhe qendrore.

Në fund, ai ka thënë se anëtarët e këtyre komuniteteve janë në gjendje të rëndë sociale dhe ekonomike.

“Mbi këtë arsye, ndryshimi i legjislacionit sekondar duhet të prekë edhe çështjet që lidhen me pagesën për dokumentacionin përkatës, letërnjoftimet tek çështja e zëvendësimit dhe pasaportat tek marrja e tyre për herë të parë”, ka deklaruar ai.

Pjesë e panelit diskutues ishte edhe Niman Hajdari, Zëvendës Avokat i Popullit, i cili ka thënë se sa i përket kuadrit ligjor qëndrojnë shumë mirë, po ashtu edhe ligjet që burojnë dhe që bazohen në dispozitat kushtetuese dhe në dispozitat e konventat ndërkombëtare parashohin masa të veçanta për avancimin e të drejtave të komuniteteve dhe masa afirmative, të cilat tha se beson që është e domosdoshme të përdoren më shumë për t’i avancuar të drejtat e komuniteteve.

Tutje, Hajdari ka deklaruar se te Avokati i Popullit janë të pakta ankesat që vijnë nga këto komunitete.

“Duhet ta dinë këto komunitete që ekziston një organ shtetëror për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, i cili përveç që ka një zyre qendrore në Prishtinë, ka edhe zyre rajonale, ku ata mund të drejtohen çdo ditë, nëpërmjet rrjeteve sociale nëpërmjet e-mailit, apo nëpërmjet organizatave të shoqërisë civile”, ka thënë Hajdari.

Muharrem Asllani, këshilltar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka deklaruar se problem  kyç me të cilin këto komunitete ballafaqohen është qasja në të drejtën në skemën ndihmave sociale. Sipas tij, ligji aktual është ligj joadekuat, diskriminues, përjashtues dhe ligj i trashëguar.

Tutje, Asllani ka theksuar se beson që grupet punuese të Ministrisë së Financave, në të cilën ka kaluar  edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, janë duke punuar për të shqyrtuar këtë ligj, si dhe duke analizuar mundësitë se si mund të dilet nga ky problem.

Asllani ka thënë se ligji aktual krijon edhe papunësi, jo vetëm tek komunitetet, por tek të gjithë qytetarët në përgjithësi.

Sipas tij, problemi i regjistrimit në Gjendjen Civile nuk është shumë shqetësues dhe nuk paraqet një problem madhor, por se gjithsesi duhet punuar për t’u trajtuar edhe këto çështje pasi që sipas tij kjo ka ardhur si rezultat i neglizhencës  së komunitetit, por një pjese tjetër të neglizhencës e kanë edhe institucionet e nivelit lokal.

Eros Gashi, këshilltar politik nga Ministria e Drejtësisë (MD), ka thënë se komunitetet joshumicë ballafaqohen në vështirësi në realizmin e të drejtave të tyre themelore siç janë banimi, arsimi dhe punësimi. Problemin me qasje në drejtësi të këtyre komuniteteve, Gashi ka deklaruar se e kanë theksuar edhe në tekstin e Strategjisë së Sundimit të Ligjit, të miratuar në gusht të vitit të kaluar.

“Aty e kemi cilësuar si sfidues këtë problem dhe kemi kërkuar mënyrat në adresimin e tij”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, problemet e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nuk dallojnë shumë nga qytetarët e tjerë, pasojat për ta zakonisht janë më të rënda duke qenë se jetojnë në kushte më të vështira ekonomike dhe sociale.

Emrah Cermjani, Drejtor Ekzekutiv nga Organizata Joqeveritare “Roma in Action" nga qyteti i  Gjakovës, ka thënë se arsyeja pse komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian marrin pjesë minimalisht në konsultime publike, është se ata e kanë humbur besimin tek institucionet.

“Bazamenti ligjor të cilin e kemi për mrekulli, si shtet për të cilin ndoshta na kanë lakmi edhe vendet më të zhvilluara sa i përket bazamentit, sa i përket juridiksionit të cilin e kemi, mirëpo fatkeqësisht nëse e analizojmë sa i përket zbatueshmërisë aty na dalin shumë të meta”, ka deklaruar Cermjani.

Ai ka thënë se vendimmarrja si proces është shumë i rëndësishëm pasi që me konsultimet vendimmarrëse planifikohen edhe politikat qendrore e lokale.

“Për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian flas me shumë kompetencë marrë parasysh që edhe punojmë në këtë aspekt. Arsyeja pse ata nuk marrin pjesë apo marrin pjesë minimalisht është për arsye se në njëfarë forme ata e kanë humb besimin tek institucionet, për arsye se shumë prej problematikave, kërkesave të cilat ata i ngrisin përmes dëgjimeve buxhetore apo dëgjimeve publike një pjesë e konsiderueshme e tyre fatkeqësisht nuk hyn si plan i punës sa i përket komunave dhe kështu ata e shohin që nëse marrin pjesë është e mangët për arsye se ndoshta hasin në vesh të shurdhër”, ka thënë Cermjani.

Cermjani ka shtuar që “Është koha që edhe përfaqësuesit politikës ta bëjnë presionin avokues në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që viti i ri shkollor 2023-‘24 është më se e rëndësishme që ta gjejë literaturën e rifreskuar edhe me informacionet mbi komunitetet joshumicë”.

Sipas tij, konkretisht lënda e Historisë dhe Edukatës Qytetare nuk ofrojnë informacione sa i përket komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian apo edhe për komunitetet e tjera, Ehat Miftaraj, Drejtor Ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se të drejtat dhe liritë e njeriut nuk kanë çmim dhe se në asnjë shtet nuk mundet një Qeveri, një Kuvend të gjejë arsyetim që nuk ka buxhet.

Miftaraj, po ashtu ka deklaruar se të drejtat e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe duhet të respektohen patjetër.

Ai ka thënë se nuk mjafton të ketë këshilltarë të komuniteteve vetëm në Ministrinë e Drejtësisë, por sipas tij, këshilltarë nga komunitetet duhet të ketë edhe Ministria e Financave, Ministria e Punës dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Në fund, Miftaraj ka thënë se në kuadër të Qendrës për Ndihmë Juridike Falas të IKD-së, e cila është themeluar në vitin 2019, ekipet mobile të juristëve kanë shkuar dhe kanë vizituar  të gjitha lokalitetet ku jetojnë këto komunitete për të identifikuar problemet, sfidat dhe çështjet, me të cilat ballafaqohen kjo pjesë e popullit të Kosovës.

Bashkangjitur në këtë komunikatë, gjeni fotografitë nga tryeza e mbajtur, si dhe raportin me titull “Përfshirja e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në vendimmarrje”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)