28 Prill 2024

IKD: Dështimi i kontrollit të punës së prokurorëve

Prishtinë, 5 prill - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh shqetësimin në lidhje me dështimin e mekanizmave të kontrollit të cilësisë të prokurorëve dhe prokurorive të Republikës së Kosovës.

Si rrjedhojë e këtij dështimi sipas këtij instituti sistemi prokurorial në Kosovë vazhdon të mbetet jo-efikas, ku kemi mungesë të llogaridhënies, punë jo-profesionale, dhe rezultate të dështuara në luftën kundër krimeve të ndryshme.

Rasti i arrestimit të prokurorit special Nazmi Mustafi, njëherësh shef i Task-forcës kundër korrupsionit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dëshmon për një dështim të mekanizmave të kontrollit të cilësisë së punës së prokurorëve në Kosovë.

Për një vit, Nazmi Mustafi kishte qenë i dyshuar me rastin e paraqitjes së kallëzimit penal për të.

Rrjedhimisht, gjatë gjithë kësaj kohe prokurori në fjalë ka vazhduar të udhëheqë dhe përfshihet në hetime ndër më të ndjeshmet në Kosovë, duke komprometuar sistemin prokurorial.

Është e papranueshme që bartës të tillë të funksioneve prokuroriale për kohë kaq të gjatë të ushtrojnë përgjegjësitë pa kontroll të vazhdueshëm dhe pa mbikëqyrje të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Krijimi i një sërë mekanizmash për luftim të korrupsionit ka shërbyer për shpërndarje të adresave, përgjegjësisë dhe llogaridhënies.

Mungesa e vlerësimit të performancës së prokurorëve dhe prokurorive paraqet dështim të zbatimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe rregulloreve përcjellëse si dhe rezulton me politika jo-adekuate për të ndjekur krimet, posaçërisht ato të natyrës së rëndë.

IKD veçanërisht shpreh shqetësim me performancën e prokurorëve të PSRK-së, përfshi ata vendorë dhe ndërkombëtarë. IKD e konsideron si të papranueshëm faktin që këta prokurorë të privilegjuar për kah kushtet e punës, me siguri fizike të shtuar, dhe me paga më të larta, për vite të tëra të ngritin vetëm një numër simbolik të akteve akuzuese.

Tutje, situata përkeqësohet kur kemi parasysh se rastet e PSRK-së kanë përfunduar si të dështuara si rrjedhojë e punës joprofesionale dhe të papërgjegjshme të prokurorëve në përgatitjen e lëndëve me prova dhe dëshmi të pranueshme.

Përveç dështimeve në ndjekjen e veprimtarive kriminale dhe korruptive, në këto procese është dëmtuar rëndë Buxheti i Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër, IKD vlerëson se performanca së paku në shifra e prokurorëve të prokurorive të rregullta, posaçërisht atyre të qarkut, dëshmon se është dukshëm më e mirë sesa puna disa vjeçare e PSRK-së.

Mungesa e vlerësimit të performancës, jo-efikasiteti i prokurorive, si dhe politikat e gabuara ndikojnë në humbjen e besimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës në luftimin e dukurive korruptive nga ana e organeve të drejtësisë.

Andaj, IKD sugjeron Kryeprokurorin e Shtetit dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës që të kërkojnë përgjegjësi nga mekanizmat e kontrollit të cilësisë së punës, të cilët duhet të vlerësojnë performancën e secilit prokuror dhe prokurori, veçanërisht atyre të PSRK-së.

Në këtë kontekst, KPK duhet të analizoj dhe të bëjë publike dëmet e përgjithshme, posaçërisht ato financiare të cilat kanë rezultuar nga proceset hetimore të dështuara.

EULEX duhet që të hetojë rrjetin e bashkëpunëtorëve të prokurorit special Nazmi Mustafi në mënyrë që të zbardhen dyshimet për ekzistimin e një mafie prokuroriale, e cila dyshohet se ka vepruar në kundërshtim të plotë me misionin e përcaktuar me ligj dhe pozitën e besuar nga institucionet.

IKD konsideron se urgjentisht duhet rishikuar mekanizmat kundër-korrupsionit të krijuar nga institucione të ndryshme. Në këtë frymë, duhet të bëhet analizë e thellë e mandatit, qasjes dhe performancës tutje për të gjithë këta mekanizma.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)