06 Maj 2024

Hoxhaj uron senatorin Kerry

Prishtinë, 23 dhjetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një telegrami urimi ka përshëndetur vendimin e presidentit të Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Barack Obama, për të nominuar senatorin John Kerry, për sekretar të Shtetit të SHBA-ve.


Në letër, ministri Hoxhaj ka shprehur vlerësimet më të larta që populli dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kanë për personalitetin e senatorit Kerry.


“Bazuar në vlerat që i bashkojnë dy vendet tona dhe angazhimin tonë të përbashkët për paqe, liri dhe siguri, Republika e Kosovës i gëzohet nominimit Tuaj për pozitën e sekretarit të Shtetit të SHBA-ve”, thotë Hoxhaj, duke shtuar se senatori Kerry është një personalitet me eksperiencë të gjatë dhe një përkrahës i aspiratave dhe përpjekjeve të popullit të Republikës së Kosovës.


Ministri i Jashtëm i Kosovës shpreh mirënjohje për kontributin dhe përkrahjen e madhe që senatori Kerry ka dhënë për Kosovën në proceset e deritashme.


Hoxhaj në letër po ashtu thotë se Qeveria e Republikës së Kosovës do të ketë nderin dhe kënaqësinë që të punojë me senatorin Kerry për avancimin e paqes, sigurisë, stabilitetit si dhe proceseve integruese euroatlantike.


“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për konsolidimin dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve speciale, të partneritetit strategjik dhe të miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë ministri Hoxhaj, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi ndërmjet dy popujve dhe dy shteteve do të arrijë nivele gjithnjë e më të larta.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)