18 Maj 2024

Hoxhaj: Plani i Ahitsaarit ka transformuar Kosovën si shtet

Prishtinë, 14 shtator -  Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një telegrami dërguar të gjithë ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të Grupit Ndërkombëtar Drejtues, ka shprehur mirënjohjen e qytetarëve dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen që shtetet e tyre kanë dhënë për Republikën e Kosovës, gjatë katër vjetëve të fundit.

“Në emër të institucioneve të Kosovës, dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë për përkrahjen dhe bashkëpunimin në implementimin e suksesshëm të Planit Ahtisaari. Ne kemi ndërtuar një shtet modern, demokratik, me garanci për komunitetet etnike e religjioze”, thuhet në letrën e Ministrit Hoxhaj.

Në të, po ashtu theksohet se implementimi i Planit Ahitsaari ka transformuar Kosovën si shtet dhe si shoqëri.

“Nga një protektorat i OKB-së, Kosova shfaqet si Republikë e gatshme dhe e vullnetshme për të ndërtuar një shtet të drejtë dhe prosperues. Ajo është transformuar nga një ndjekëse, në një lidere të transformimit. Si partnerë, kemi arritur të kemi një shtet koheziv dhe multietnik ku të gjithë qytetarët  mund të zhvillojnë dhe shprehin talentin e tyre”, thotë Hoxhaj në letër.

Ai ka shtuar me tutje se që nga vitit 2008 Kosova ka punuar drejt institucioneve demokratike dhe mbrojtjes së diversitetit kulturor, ekonomisë së lirë të tregut, infrastrukturës moderne, sistemit të drejtësisë dhe administratës publike duke përfshirë decentralizimin e qeverisjes lokale.

“Partneriteti i Republikës së Kosovës me Grupin Ndërkombëtar Drejtues ka qenë thelbësor në arritjen e këtyre rezultateve. Sot, përfaqësimi demokratik dhe mirëqenia e qytetarëve të Kosovës  është bërë një realitet i të gjithë qytetarëve të Kosovës pa marrë parasysh etnicitetin, gjininë ose religjionin e tyre”.

Hoxhaj po ashtu bën të ditur se ecja e Kosovës përpara nuk përfundon këtu.

“Ajo vazhdon në nivelin tjetër, që është modernizimi i shtetit tonë, përmirësimi i situatës ekonomike dhe integrimi në institucionet euroatlantike. Kosova do të jetë plotësisht e përgjegjshme për të përmbushur këto qëllime”, thuhet në telegram.

Hoxhaj po ashtu thekson se implementimi i suksesshëm i obligimeve nga Plani Ahtisaari është rezultat i vendosmërisë së popullit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përkrahjes së vendosur të shteteve mike.

“Ne llogarisim në vazhdimin e mbështetjes tuaj, siç po ashtu besojmë se marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet shteteve dhe popujve tanë do të thellohen edhe më tutje në vjetët para nesh”, thotë Ministri Hoxhaj, në letrën dërguar homologëve të tij të vendeve anëtare të Grupin Drejtues Ndërkombëtar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)