18 Maj 2024

Hoxhaj flet në Konferencën “Miqtë e Popullit të Sirisë” në Paris

Paris, 6 korrik – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën Ndërkombëtare “Miqtë e Popullit të Sirisë” në Paris, ka mbajtur një fjalim para mbi 100 liderëve botërorë.

Në fjalën e tij para liderëve botërorë, ministri Hoxhaj, në emër të institucioneve të Kosovës ka shprehur shqetësim të madh për situatën në Siri.

Hoxhaj tha se përgjigja brutale e regjimit të Sirisë ndaj kërkesave të popullit nuk mund të prodhojë asgjë tjetër “përveç më shumë viktima”, dhe se ajo që po ndodhë në Siri është vuajtja e popullit sirian, dhe kërcënim i paqes regjionale.

“Republika e Kosovës dënon ashpër fushatën gjakderdhëse të regjimit të Assadit ndaj aspiratave të opozitës siriane për të transformuar vendin e tyre në një shtet të hapur dhe pluralist. Republika e Kosovës shpreh solidaritetin e plotë me kërkesat e popullatës për ndryshime politike në Siri, dhe ne përkrahim angazhimet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki – moon, dhe të të dërguarit të KB-së dhe të Ligës Arabe, Kofi Annan”, ka theksuar Hoxhaj.

Para të pranishmëve të nivelit më të lartë të diplomacisë botërore, ministri i Jashtëm i Kosovës, ka thënë se regjimi i Assadit e ka humbur legjitimitetin e tij në momentin kur kërkesat legjitime të qytetarëve sirianë u ndeshën me bombardime artilerish, tankesh dhe me vrasjen masive të civilëve.

Ministri Hoxhaj, po ashtu ka evokuar ngjarjet e trembëdhjetë vjetëve më parë në Kosovë, kur populli i Kosovës përjetoi një gjenocid, duke theksuar se në atë kohë, gjenocidi në Kosovë nxiti NATO-n që të veprojë dhe të intervenojë për të parandaluar një Bosnje të re.

“Në Siri, sot, edhe njëherë, njëjtë si në Bosnje dhe Kosovë vite më parë, komuniteti ndërkombëtar është para një dileme për të ndërmarrë aksionin e duhur për të parandaluar dhunën dhe viktimat. Aspiratat e opozitës siriane për të transformuar Sirinë në një shtet demokratik, të hapur dhe pluralist, janë të ngjashme me ato të popullit të Kosovës të para disa viteve. Ne ishim viktimë e një spastrimi etnik dhe të shkeljes së të drejtave të njeriut nga logjika e një tirani siç ishte Sllobodan Milosheviqi. Sot, Kosova është një vend demokratik, i pavarur dhe një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan dhe në Evropë”, tha Hoxhaj.

Ai po ashtu ka shprehur besimin e fuqishëm që Komuniteti Ndërkombëtar është në gjendje t’i përgjigjet në mënyrë efektive krizës së Sirisë.

“Komuniteti Ndërkombëtar ka përgjegjësi morale që të veprojë. Një regjim i cili e ka humbur legjitimitetin e tij në sytë e popullit të tij, nuk mundet dhe nuk duhet të pohojë ndonjë legjitimitet nga komuniteti ndërkombëtar. Unë mendoj se të gjithë ne duhet të jemi shumë të brengosur për situatën në Siri, derisa shumë qytetarë sirianë po vriten çdo ditë. Ne duhet të brengosemi, meqë, në të njëjtën kohë, ky është një test moral për Komunitetin Ndërkombëtar. Kjo situatë është një sulm ndaj çdo aspirate themelore të Kombeve të Bashkuara. Këto aspirata janë pjesë integrale e sistemit të sigurisë kolektive të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe, si të tilla, janë të përfshira në konceptin e “mbrojtjes së përgjegjësisë”. Është e drejtë dhe detyrë morale e Komunitetit Ndërkombëtar që të mos lejojë që shpirti i Kartës së Kombeve të Bashkuara të shkatërrohet në Siri”, tha Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, po ashtu ka deklaruar se Republika e Kosovës, si një vend, vuajtjet e të cilit për liri dhe pavarësi janë përkrahur nga shumë vende demokratike të botës, është e gatshme t’i përkrahë përpjekjet ndërkombëtare për të sjellë paqe dhe demokraci kalimtare në Siri.

“Që nga fillimi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka përkrahur popullin e Sirisë. Ne jemi ndër vendet e para në Ballkan që publikisht e kanë përkrahur një Siri të lirë dhe demokratike. Unë besoj se e ardhmja e Sirisë i përket vetëm popullit të Sirisë dhe se duhet të krijohet nga vetë ata”, tha ministri Hoxhaj.

Në përfundim të fjalimit të tij, ministri i Jashtëm i Kosovës ka deklaruar se Kosova i ka përkrahur hapur ndryshimet demokratike pas “Pranverës Arabe” dhe se beson që asnjë regjim nuk mund të mbetet imun për arritje të valës së demokratizimit dhe të lirisë, “kështu që është vetëm çështje e kohës që kjo të ndodhë edhe në Siri”.

Në konferencën ndërkombëtare “Miqtë e Popullit të Sirisë” në Paris, përveç autoriteteve më të larta shtetërore të Francës, kanë marrë pjesë edhe sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Gudio Westerwelle dhe më se 100 udhëheqës të tjerë të  diplomacive të shteteve demokratike anekënd botës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)