15 Maj 2024

Hoxhaj: Bashkimi Evropian agjendë nacionale e Kosovës

Alpbach, 26 Gusht - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në punimet e sivjetme të Forumit prestigjioz evropian të Albachut, i cili këtë vit ka trajtuar temën \"E ardhmja e integrimeve evropiane\".

Ministri Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në panelin e Forumit Evropian “Alpbach 2012” së bashku me Eurodeputeten Doris Pack dhe politikanin austriak me renome, Erhard Busek, ka mbajtur një ligjëratë rreth temës së integrimeve evropiane, ku ka prezantuar pikëpamjet e tij rreth perspektivave evropiane dhe proceseve që lidhen me rrugën e integrimit të Kosovës dhe rajonit.

Në fjalën e tij para liderëve të shumë shteteve evropiane, diplomatëve dhe përfaqësuesve të institucioneve të Bashkimit Evropian, Ministri Hoxhaj tha se Republika e Kosovës gjatë këtij viti po punon jashtëzakonisht shumë që ta bëjë Bashkimin Evropian synim dhe agjendë nacionale të sajën.
 
“Ne jemi në proces të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë e cila do të ndryshojë natyrën e shtetit tonë dhe shoqërisë sonë. Po ashtu, ne po punojmë shumë që të konsolidojmë shtetësinë tonë të brendshme dhe për herë të parë pas shumë vjetësh kemi filluar procesin e liberalizimit të vizave dhe ne shpresojmë që në muajt që do të vijnë, në vitin e ardhshëm, qytetarët tanë do të kenë mundësi që të lëvizin pa viza në Evropë, veçanërisht studentët tanë”, theksoi Hoxhaj.

Duke iu referuar rinisë kosovare dhe vështirësive që hasin sidomos studentët kosovarë për të vizituar dhe studiuar në Evropë, Ministri i Jashtëm i Kosovës, apeloi te Brukseli që të ketë më shumë vëmendje për Kosovën, e veçanërisht për rininë e saj.

\"Kosova është shteti më i ri, me popullatën më të re në Evropë. Ne po ndërtojmë një elitë politike nga themelet, po ndërtojmë institucione nga themelet, po e ndërtojmë ekonominë, sistemin arsimor, kulturën nga themelet dhe jemi në proces të transformimit të shoqërisë\", tha Ministri Hoxhaj, duke shtuar se shtetndërtimi në Kosovë është aspiratë e popullit të Kosovës dhe storie e suksesit e Bashkimit Evropian.

Lidhur me perspektivën integruese të rajonit në BE, Hoxhaj theksoi se për vendet e Ballkanit është lajm shumë i mirë që me gjithë krizën ekonomike dhe financiare, procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian do të vazhdojë.

Duke iu referuar rrugës integruese të Kroacisë, Hoxhaj ka theksuar se ky është një shembull shumë i mirë se si duhet të reformohen dhe modernizohen shtetet në rajon, si parakusht për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

“Sa i përket zgjerimit është shumë e rëndësishme që politikanët në Evropë po luftojnë kundër perceptimit të “lodhjes nga zgjerimi”, dhe po ashtu është shumë e rëndësishme që politikanët në rajonin e Ballkanit po luftojnë kundër perceptimit se Bashkimi Evropian është një minierë ari”, theksoi ndër të tjera Hoxhaj.

Gjatë punimeve të Forumit Evropian “Alpbach 2012”, Ministri Hoxhaj ka zhvilluar takime dhe biseda të shkurtra edhe me shumë personalitete dhe liderë të shteteve evropiane dhe mekanizmave të BE-së, si me Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer, Presidentin e Kroacisë, Ivo Josipovic, Kryeministrin e Lichtensteinit, Eurodeptutetet Doris Pack dhe Ulricke Lunacek dhe shumë personalitete të tjera.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)