29 Prill 2024

Hoxhaj: Aspirata e Kosovës, anëtarësimi në NATO

Tiranë, 14 dhjetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në kuadër të takimit të Iniciativës për Siguri dhe Paqe në Ballkan që është organizuar në Tiranë, ka zhvilluar një takim me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.

Në këtë takim është diskutuar për reformat që Republika e Kosovës ka bërë në konsolidimin e shtetësisë së brendshme dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Me këtë rast, Ministri Hoxhaj ka falënderuar Kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha, për mbështetjen e shtetit shqiptar në shtimin e njohjeve për Republikën e Kosovës si dhe në pjesëmarrjen në nisma rajonale dhe ndërkombëtare.

“Fokusi i parë i bisedës kanë qenë zhvillimet brenda Republikës së Kosovës. Kam informuar për reformat që ka bërë Kosova në konsolidimin e shtetësisë së saj, në procesin e reformave kyçe për integrimet evropiane, rreth situatës në veri të vendit, si dhe kam falënderuar atë për mbështetjen në përmbylljen e procesit të njohjeve”, tha Ministri Hoxhaj.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka përgëzuar Ministrin Hoxhaj për sukseset e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Shqipëria do ta mbështet fuqishëm Kosovën për rritjen e numrit të njohjeve, përfaqësimin rajonal dhe ndërkombëtar si dhe në rrugën e saj evropiane”, ka theksuar Berisha.

Ndërkaq, në takimin që është zhvilluar ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut ‘US-Adriatic Charter (A5)’, Ministri Hoxhaj ka falënderuar NATO-n për mbështetjen që i ka dhënë popullit të Kosovës dhe garantimit të paqes në Ballkan.

Duke folur për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), Hoxhaj ka thënë se Republika e Kosovës është e përkushtuar në ndërtimin e institucioneve të sigurisë me standarde të NATO-së si dhe në profesionalizimin e FSK-së.

“Republika e Kosovës ka bërë një progres të madh në fushën e sigurisë, ku Forca e Sigurisë së Kosovës është ndërtuar si një institucion me vlera perëndimore, profesionale, duke u bazuar në standarde të NATO-së”, ka shtuar Ministri Hoxhaj.

Ministri ka theksuar se Republika e Kosovës ndan me të gjitha shtetet e rajonit vlerat e përbashkëta euroatlantike, siç janë demokracia, paqja, stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik.

“Aspirata më e madhe, më e rëndësishmja që e ka Republika e Kosovës është anëtarësimi në strukturat euroatlantike. Republika e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë është dëshmuar si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon”, ka theksuar Ministri Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj ka potencuar se Republika e Kosovës është shumë e vendosur që përmes bashkëpunimit regjional të marrë pjesë në të gjitha iniciativat dhe mekanizmat rajonal të sigurisë.

“Është synim i Republikës së Kosovës që të jemi pjesë e Partneritetit për Paqe dhe anëtar i NATO-s, derisa Kosova është e përgatitur dhe e gatshme që të marrë pjesë në të gjitha misionet ushtarake dhe humanitare në botë”, ka thënë ai.

Duke folur për gjendjen e krijuar në veri të Kosovës, Ministri Hoxhaj ka theksuar se strukturat kriminale dhe ilegale, të ndihmuara nga formacione paramilitare paraqesin kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, në të njëjtën kohë edhe për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon. “Pa zhbërjen e plotë të këtyre strukturave kriminale nuk mund të ketë paqe, siguri dhe stabilitet në Ballkan”, ka thënë Ministri Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu ka falënderuar NATO-në, e cila në Samitin e ardhshëm që do të mbahet në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të promovoj idenë e politikës së dyerve të hapura për anësimin e shteteve të rajonit në NATO.

Ministri Hoxhaj, në këtë forum sërish ka kërkuar ndihmën e shteteve anëtare të NATO-s për pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në NATO dhe në Partneritetin për Paqe.

Karta e Adriatikut është një nismë rajonale e suksesshme që thekson synimin e integrimit të plotë të shteteve të rajonit në NATO dhe në institucionet euroatlantike dhe që bazohet në frymën e Kartës SHBA-Karta e Baltikut, e vitit 1998.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)