18 Maj 2024

Haxhiu e Selimi akuzojn njëri tjetrin

Prishtinë, 5 korrik - Seanca e sotme plenare e Kuvendit të Republikes se Kosovës ka nisur me akuza dhe kundër-akuza nga deputetët që janë përfshirë në përleshjen e 28 qershor në oborrin e Kuvendit.

Deputeti, Bekim Haxhiu nga PDK-ja, u ka kërkuar falje qytetarëve të Kosovës për atë që ka ndodhur, ai ka thënë kjo është bërë në hakmarrje për atë që ka deklaruar rreth lidhjeve të Albin Kurtit me shërbimin serb.

Në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, deputeti Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar ka kërkuar falje, për të sqaruar siç tha ai para qytetarëve incidentin që ka ndodhur në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se në asnjë moment, me asnjë fjalë, me asnjë veprim, nuk kam qenë pjesëmarrës e as nxitës i asaj që ka ndodhur.

Haxhiu ka thënë se duke i njohur të dy deputetët, Gashin dhe Selimin, është munduar të parandalojë dhe evitojë më të keqen, duke konsideruar se ajo që ka ndodhur ka qenë turp për Kuvendin.

Por sipas tij, pas 20 minutave në një pritë të organizuar ka ndodhur sulmi fizikisht, pa paralajmërim nga 8 persona.

“Jam sulmuar pabesisht nga ish-bashkëluftëtari Rexhep Selimi, nga ai i cili 20 minuta më herët e kam shpëtuar të mos rrahet nga Latif Gashi. Jam sulmuar nga Florin Krasnqi, një bandit i nëntokave të palara të bizneseve në Kosovë, i cili prej momentit të futjes në politikë në Kosovë, ka paralajmëruar vëllavrasjen, duke kërcënuar publikisht edhe kryeministrin e vendit”, ka thënë Haxhiu.

Gjithashtu ai ka thënë se është sulmuar edhe nga Visar Ymeri, që siç e ka quajtur ai “një milingonë e politikës sekrete të Vetëvendosjes”.

Haxhiu thotë se kjo ka ardhur në shenjë hakmarrje për atë që ka deklaruar më herët për Albin Kurtin për lidhjet e tij me shërbimin sekret serb.

“Them se jam sulmuar në shenjë hakmarrje, duke mu përmendur gjatë sulmit edhe deklaratat e mija për Albin Kurtin. Nga Lëvizja Vetëvendosje kam pasur kërcënime nëpërmes letrave, por edhe forma të tjera, të cilat nuk kam dashur t’i bëjë publike, për të mos nxitur konflikt. Nuk kam dashur ta adresojë skenarin e vëllavrasjes që është duke e krijuar Vetëvendosja. E tërë kjo u bë që unë demaskova Albin Kurtin për bashkëpunimin e tij me shërbimin serb”, ka theksuar Haxhiu.

Gjithashtu ai ka thënë se e mbyll këtë çështje dhe nuk do të merret më me këtë, përhirë të interesave të vendit.


Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se qytetarët e Kosovës presin që të shpreh ndjenjën e keqardhjes, për gjithë atë çfarë ndodhi në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se do të bëjë, por jo pa i thënë nja dy tri fjalë paraprakisht. Sipas tij me përfundimin e luftës më 1999 gjegjësisht 2000, një grup njerëzish që përgatiteshin për politikë dhe për të përfituar edhe politikisht nga lufta që lamë pas, “duke u thirrur pikërisht në emër dhe në vlerën e kësaj lufte e dhanë UÇK-në”, tha Selimi.

Për më tepër ai ka shtuar se ata që hoqën dorë nga UÇK-ja, hoqën dorë nga betimi i ushtarit, hoqën dorë nga Qeveria e luftës, madje sot hoqën dorë edhe nga flamuri me të cilën luftuan, por sipas tij kurrë nuk hoqën dorë nga SHIK-u.

“E çarmatosen UÇK-në dhe shuajten, e armatosën SHIK-un dhe e ruajtën. Prandaj ishte ky rrjet spiunazhi i quajtur SHIK, pa asnjë bazë ligjore vazhdoi veprimtarinë supersive edhe pas janarit të vitit 2000, ku u shuan edhe institucionet e përkohshme me Qeverinë e dal nga lufta”, ka thënë Selimi.

Megjithatë, sipas Selimit, populli i Kosovës e meriton të dijë se kush ishte dhe kush është kjo organizatë që e mban në presion opinionin. Ai pohoi se për këtë asnjëherë nuk është dhënë përgjigje, pra pse nuk përgjigjen.

Selimi ka përshëndetur deputetët që kanë nënshkruar iniciativën e deputetit, Florin Krasniqi, për krijimin e një komisioni hetimor për SHIK-un, duke inkurajuar edhe të tjerët që ta nënshkruajnë.

Deputeti Selimi ka thënë se këta njerëz të SHIK-ut, shkuan edhe më larg, guxuan të kërkojnë një gjë të tillë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, por sipas tij ky guxim i doli i pa llogaritur mirë.

“Ata morën përgjigje në vend që të përgjigjeshin, por kjo nuk i ka bërë të ndjehen mirë shumë qytetarë, të cilët presin më shumë nga ne, presin që të mos biem në provokime të tilla. Prandaj ndjej keqardhje ndaj atyre që nuk u ndjen mirë kur panë lajme të tilla. Por njëkohësisht ju kërkoj që të na kuptojnë se sa e vështirë është t’i durojmë këtë njerëz, të cilët vazhdojnë ende me provokime të tilla. Madje le të na kuptojnë se edhe në të ardhmen asnjëherë nuk do t’i durojmë”, ka theksuar Selimi.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)